Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Nishani

, 26.09.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili udhëhiqte një delegacion të kësaj ministrie, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin institucional të të dy vendeve, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit të rajonit.

Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar për angazhimet e shtetit shqiptar në gjithë procesin politik, nëpër të cilin ka kaluar Kosova. Ai ka falënderuar, në mënyrë të veçantë, për fjalën përmbajtjesore të presidentit shqiptar, Bamir Topi, në Asamblenë e OKB-së, për Kosovën, për të ardhmen e saj dhe për thirrjen që u bëri anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që Shqipëria viteve të fundit ka arritur suksese të lakmueshme edhe në sferën e sigurisë. Ai, ndërkaq, e ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy ministrive homologe të të dy vendeve, në luftë kundër të gjitha formave të krimit.

Kreu i legjislativit të vendit është shprehur i bindur se ty dy vendet tona do të dinë t’i shfrytëzojnë kohën dhe proceset për integrimet kombëtare dhe për integrime të përbashkëta rajonale dhe në Bashkimin Evropian.

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bujar Nishani, pasi e ka falënderuar kryeparlamerntarin Krasniqi për pritjen e organizuar për të dhe delegacionin e Ministrisë, të cilin e udhëheq, e ka uruar për të arriturat e Kosovës së pavarur. Ai e ka njoftuar kreun e Kuvendit të Kosovës me bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe të asaj të Kosovës, duke theksuar rëndësinë që i japin ato zbatimit të ligjit. Në këtë vështrim ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm produktin e punës së Kuvendit – miratimin e legjislacionit, që është kusht i domosdoshëm për funksionimin organeve të zbatimit të ligjit. Duke folur për punën e organeve ekzekutive të zbatimit të ligjit, Nishani ka spikatur se sa është e rëndësishme që të miratohen ligje të mira, po aq e rëndësishme është që ato të gjejnë zbatim në shoqëritë e vendeve tona.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve dhe për nevojën e lehtësimit të qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe të mallrave.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti ministrin e Brendshëm të Shqipërisë,  Nishani