Lajmet e fundit
Komisioni i Jashtëm miratoi një deklarat lidhur me nismën serbe në OKB
, 07.10.2008
Kuvendi i Republikës së Kosovës
Komisioni për Punë të Jashtme
Prishtinë, 07 tetor 2008
DEKLARATË E Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës në lidhje me iniciativën e paraqitur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për ta referuar çështjen e legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Përkujton se Kuvendi i Kosovës e ka shpallur pavarësinë e vendit më 17 shkurt 2008, duke legjitimuar vullnetin e qytetarëve të vet, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, njësi konstituive e së cilës ishte, pas luftës së gjatë politike e të armatosur për liri e çlirim nga okupimi serb;
Përkujton se Serbia bëri luftë agresioni e spastrimi etnik, me elemente gjenocidi, kundër Kosovës dhe popullit të saj, e cila përfundoi me kundërvënien e armatosur të UÇK-së dhe ndërhyrjen vendimtare të forcave të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, në pranverën e vitit 1999;
Përkujton se Kosova ka gëzuar pavarësi faktike nga Serbia që nga qershori i vitit 1999, duke qenë e administruar përkohësisht nga OKB-ja, dhe duke ndërtuar institucionet e veta shtetërore demokratike;
Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi i Kushtetutës së Republikës është bërë me procedura të rregullta e demokratike, duke legalizuar vullnetin e popullit të saj, në pajtim dhe në koordinim me shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë të përfshirë në procesin e definimit të statusit të Kosovës, të udhëhequr nga Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisaari;
Republika e Kosovës ka krijuar institucionet dhe legjislacionin e shtetit të pavarur, dhe është njohur deri tani nga 47 shtete, anëtare të OKB-së;
Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Rithekson se pavarësia e Kosovës tanimë është realitet i pakthyeshëm, i ndërtuar në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
Prandaj, Komisioni u drejtohet anëtarëve të OKB-së pjesëmarrës të Asamblesë së Përgjithshme me kërkesë që iniciativa për referim të çështjes së legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e paraqitur nga Serbia, agresore e Kosovës në të kaluarën e afërt, të trajtohet si përpjekje dhe fushatë për ta penguar zhvillimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës, për të penguar njohjen e saj ndërkombëtare të mëtejme, si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë trupat e OKB-së.
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës konsideron që trajtimi eventual miratues i iniciativës së Serbisë në OKB nuk do t’i kontribuonte stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore dhe më gjerë. (Deklarata u miratua në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajtur në Prishtinë më 07 tetor 2008)
(Deklarata u miratua në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajtur në Prishtinë më 07 tetor 2008)