Lajmet e fundit

Debat publik: “Situata e shëndetësisë në rajonin e Gjilanit”

, 07.10.2008




Sikurse në mbarë shëndetësinë e Kosovës, ashtu edhe në rajonin e Gjilanit situata në shëndetësi është mjaft e rëndë. Edhe në këtë rajon institucionet shëndetësore po ballafaqohen me vështirësi të shumta, në radhë të parë me mungesën e barnave dhe të materialeve sanitare, me aparaturë të vjetruar, me mungesën e hapësirës për punë të personelit mjekësor, për trajtimin e të sëmurëve, si dhe me numrin e pamjaftueshëm të kuadrit të shkolluar mjekësor. Me këto konstatime ka filluar debati i sotëm publik: “Situata e shëndetësisë në rajonin e Gjilanit” që e organizoi Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në bashkëpunim me NDI-në, nën kryesinë e Sadik Idriz, kryetar i këtij komisioni, që u mbajt në hapësirat e hotelit “Kristal” në Gjilan.

Krahas anëtarëve të Komisionit në këtë debat publik ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në krye me zëvendësministrin, zonjën Mybera Mustafa, përfaqësuesit e Spitalit Rajonal të Gjilanit, në krye me drejtorin ekzekutiv, dr. Xhavit Hajdarin, përfaqësuesit e drejtorive komunale për shëndetësi dhe mirëqenie sociale të Gjilanit, të Artanës dhe të Dardanës, si dhe përfaqësuesit e asociacioneve të tjera dhe të sindikatave e të OJQ-ve të këtij rajoni.

Në debat u tha se punëtorët shëndetësorë të këtij rajoni janë te pakënaqur për shkak të moszbatimit të Kontratës kolektive, kushteve joadekuate, pagave te ulëta, mospagesës së rregullt të kujdestarive, mungesës së numrit të duhur të automjeteve të ndihmës së shpejtë, si dhe për shkak të disa arsyeve subjektive. Në debat publik është theksuar se institucionet shëndetësore rajonale duhet të decentralizohen, të krijojnë burime të tjetra të të ardhurave për vetveten, si dhe të bëhet riorganizimi i brendshëm i tyre.

Në fund të këtij debati, lidhur me situatën shëndetësore në rajonin e Gjilanit, punëtorët shëndetësorë të këtij rajoni njëzëri e përkrahën qëndrimin e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë lidhur më grevën paralajmëruar për 13 tetor 2008.

Gjatë vizitës në Gjilan, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, e vizituan edhe Spitalin Rajonal. Lidhur më punën dhe aktivitetet e këtij spitali, anëtarët e Komisionit i informoi drejtori i këtij spitali, dr. Xhavit Hajdari. Ai theksoi se spitali ka pesë departamente, në të cilat punojnë gjithsej 531 punëtorë: 100 mjekë, 318 infermiere dhe 113 punëtorë të tjerë. Ky spital ofron shërbime shëndetësore për nja 350.000 banorë të kësaj komune dhe për banorët e komunave të Artanës, të Vitisë dhe të Dardanës. Gjithashtu i ka në dispozicion 450 shtretër. Në sallat e tij të operacionit kryhen rreth 2100 operacione të ndryshme. Në fund drejtori i përgjithshëm theksoi se, sikurse shëndetësia në mbarë Kosovën edhe ky spital rajonal në punën e përditshme ballafaqohet me probleme të shumta.
Debat publik: “Situata e shëndetësisë në rajonin e Gjilanit”