Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisionarin për zgjerim në BE, Olli Rehn

, 09.10.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë, ka pritur sot Komisionarin për zgjerim në BE, Olli Rehn, i cili kryesonte një delegacion të Komisionit Evropian dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë dhe rrugën që ka marrë vendi drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke e falënderuar BE-në për gjithë mbështetjen e deritashme për Kosovën, vizitën e z. Rehn në Prishtinë e ka quajtur tepër të rëndësishme, sidomos pas asaj që ndodhi mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke u shprehur se Serbia gjatë dekadave të fundit i ka shkelur normat ndërkombëtare. Ai në vazhdim ka folur për hapat që ka marrë Kosova pas 17 shkurtit të këtij viti, kur Kuvendi e shpalli pavarësinë e vendit, siç janë miratimi i Kushtetutës, i simboleve shtetërore dhe mbi 80 ligje, nga të cilat 41 sish që burojnë nga Plani Gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari, e që kryesisht garantojnë të drejtat e komunitetit serb.

Krasniqi ka theksuar nevojën që ka Kosova për mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, si dhe përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për integrime në BE.

Komisionari për zgjerim në BE, Olli Rehn, i ka siguruar kryeparlamentarin dhe anëtarët e Kryesisë për perspektivën evropiane të Kosovës. Ai e ka vlerësuar të shkëlqyeshme punën e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij viti, duke theksuar se gjasat e ardhme për Kosovën do të jenë në proporcion të drejtë me miratimin e legjislacionit të përafruar me atë të BE-së, me implementimin e ligjeve, si dhe kontrollin parlamentar të Qeverisë. Duke folur, ndërkaq, për mbështetjen e BE-së për Kosovës, ka përmendur sukseset e Konferencës së donatorëve. Lidhur me shpenzimin efektiv të mjeteve të siguruara nga kjo konferencë, Rehn ka kërkuar profesionalizëm dhe transparencë të plotë, duke pohuar se shpenzimi me mençuri i këtyre mjeteve do ta shtonte besimin e BE-së dhe të vendeve anëtare për Kosovën.

Komisioneri për Zgjerim e ka trimëruar udhëheqjen e Kuvendit që të vizitojë vendbanimet e komuniteteve pakicë dhe t’i bindni qytetarët për perspektivën e mirë tyre në Kosovë. Ai ka spikatur se konsensusi i forcave politike në Kosovë për integrim në BE, e shkurton rrugën e anëtarësimit.

Kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se Kosova është në bisedime për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, ndërkaq, ka kërkuar që të gjenden mundësi që Kosova të marrë pjesë në disa mekanizma të BE-së, si në Këshillin e Evropës dhe në OSBE.

Duke e marrë fjalën në këtë takim, anëtari i Kryesisë, Slobodan Petroviq, ka theksuar prapambeturinë ekonomike të Kosovës dhe është angazhuar për investime të vendeve të BE-së në Kosovë, sidomos në vendbanimet serbe, për të siguruar qëndrimin e tyre në Kosovë. Naim Maloku ka kërkuar shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, për të penguar kontrabandën dhe kriminalitetin në një pjesë të Kosovës, kurse Eqrem Kryeziu e ka garantuar mysafirin për konsensusin ekzistues për integrime në BE. Xhavit Haliti, ndërkaq, ka shtruar çështjen e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vende të BE-së dhe ka shtruar pyetjen se çka duhet të bëhet të bëjmë bashkarish që Kosovën ta njohin edhe ato.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara komisionari Rehn ka theksuar se funksionimi i shoqërisë demokratike dhe shumetnike të Kosovës, do ta shkurtojë periudhën e stagnimit dhe do të hapë rrugën përparimit të vendit
Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisionarin për zgjerim në BE, Olli Rehn