Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 10.10.2008
Në fillim të seancës së sotme kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka uruar deputetët për njohjen e shtetit të Kosovës nga Podgorica dhe Shkupi, si dhe i ka falënderuar qeveritë e të dy vendeve fqinje për këtë vendim të mirëpritur në Kosovë.
Pas kësaj, me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së është miratuar mocioni, me të cilin është quajtur i përfunduar debati për gjendjen në parkun nacional “ Malet e Sharrit” dhe në fshatin turistik në Prevallë.
Është zhvilluar, ndërkaq, debat i gjerë parlamentar lidhur me gjendjen në pyjet e Kosovës. Fillimisht Rekomandimet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor lidhur me gjendjen në pyjet e Kosovës dhe masat për përmirësimin e gjendjes, i ka prezantuar para deputetëve kryetari i Komisionit, Lulzim Zeneli. Shumica e deputetëve, pjesëmarrës në debatin parlamentar, gjendjen e pyjeve të Kosovës e kanë cilësuar tepër të rëndë, madje deri shfarosëse. Që të gjithë e kanë vënë në spikamë dobinë e ruajtjes së diversitetit të florës në pyjet tona dhe janë pajtuar që duhen marrë masa të rrepta ndaj ndërmarrjeve dhe personave, të cilët i dëmtojnë pyjet, duke i prerë ato në mënyrë të pakontrolluar, me të vetmin qëllim – përfitimin material dhe financiar.
Në fund të debatit Komisioni për Bujqësi dhe Pylltari është autorizuar t’i harmonizojë qëndrimet dhe të paraqesë para Kuvendit rekomandimet lidhur me masat për përmirësimin e gjendjes së pyjeve të Kosovës, të cilat do të miratohen në seancën e radhës.
Në këtë seancë është shqyrtuar (me procedurë të përshpejtuar) Projektligji për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të trupave të TMK-së.
Prezantimin e projektligjit e ka bërë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, kurse arsyeshmërinë e miratimit të tij e ka paraqitur Ramadan Gashi, nënkryetar i Komisionit ad-hoc parlamentar për miratimin e ligjeve nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, i cili projektligj edhe është miratuar në parim.
Në orët e pasdites është mbajtur seancë e re për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të trupave të TMK-së, i cili edhe është miratuar përfundimisht.