Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti një delegacion të Parlamentit të Finlandës

, 15.10.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion pesëmbëdhjetë anëtarësh të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, të kryesuar nga z. Juha Korkeaoja, kryetar i Komisionit, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovën e pavarur dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve dhe komisioneve homologe.

Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit dhe të popullit të Finlandës për zhvillimet në Kosovë gjatë gjithë kohës, sidomos për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës. Me këtë rast, Krasniqi e ka uruar delegacionin parlamentar finlandez edhe për çmimin Nobel të presidentit Ahtisari, duke e vlerësuar kontributin e tij për Kosovën dhe për paqe në rajonin e Ballkanit gjatë vitit 1999, e sidomos për bisedimet lidhur me statusin e Kosovës, në cilësinë e emisarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Në vazhdim kreu i Kuvendit ka shpjeguar hapat që ka bërë Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të këtij viti, duke theksuar sidomos punën që ka bërë Kuvendi për miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës (flamurit, stemës, himnit) si dhe miratimin e Kushtetutës dhe të 42 ligjeve që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit. Këto ligje, ka shpjeguar Krasniqi, rregullojnë çështje të decentralizimit dhe të drejtave të komuniteteve, sidomos të atyre pakicë. Ai ka përmendur se gjuha serbe është gjuhë e dytë zyrtare në Kosovë, megjithëse atë e flasin më pak se dhjetë për qind e banorëve të Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe anëtarët e Komisionit për Siguri, ka shtruar nevojën e bashkëpunimit ndërmjet të dy parlamenteve dhe dy komisioneve homologe, sidomos sa i përket kontrollit parlamentar të segmenteve të sigurisë.

Kryesuesi i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin r e Finlandës, Juha Korkeaoja, ka vlerësuar të arriturat e mëdha të Kosovës gjatë viteve të fundit. Ai ka theksuar se parlamentarët finlandezë vijnë në Kosovë për të parë ushtarët e vendit të tyre në kuadër të KFOR-it dhe për ta parë gjendjen politike në Kosovë. Duke uruar për pavarësinë e vendit tonë, Korkeaoja ka spikatur se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm. Ai është shprehur i bindur se me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare Kosova do të arrijë të krijojë administratën dhe mekanizmat e saj të tjerë funksional.

Kryetari i Komisionit për Siguri, Rrustem Mustafa, duke e marrë fjalën në këtë takim, ka theksuar se objektiv i Kosovës, prandaj edhe i Komisionit, të cilin e drejton është të krijojë mekanizmat që prodhojnë siguri dhe që të integrohemi në strukturat e NATO-s. Ai ka kërkuar nga mysafirët që Kosova të mbështetet drejt krijimit të mekanizmave të sigurisë, duke i garantuar ata se kosovarët duan të mësojnë se si kjo mund të bëhet më së miri.

Kryesuesi i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin r e Finlandës, Juha Korkeaoja, është zotuar se Parlamenti i Finlandës dhe komisioni, të cilin e drejton, do të bashkëpunojnë me homologët kosovarë edhe në këtë plan.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti një delegacion të Parlamentit të Finlandës