Lajmet e fundit

Fjala e Kryeparlamentarit Krasniqi në Senacën për OZhM-të

, 17.10.2008




I nderuar President Sejdiu,
I nderuar Kryeministër Thaqi,
I nderuar përfaqësues i Fushatës së Mijëvjeçarit, zoti Guido Shmid,
Të nderuar përfaqësues të agjencive të OKB në Kosovë, zoti Mouring,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë në Kosovë,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj

Mire se keni ardhur në Seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën do ta procedojmë Rezolutën për adoptimin e Deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin.

Bota e sotme vazhdon të ketë dallime të mëdha shoqërore dhe ekonomike. Me qëllim të zhdukjes së varfërisë së skajshme dhe urisë nga të cilat vuajnë rreth një miliard njerëz, arritjes së shkollimit fillor për të gjithë, promovimit të barazisë gjinore dhe rritjes së rolit të gruas, zvogëlimit të vdekshmërisë së foshnjave, përmirësimit të shëndetit të nënave, luftimit të sëmundjeve ngjitëse, sigurimit të qëndrueshmërisë së ambientit dhe krijimit të partneritetit global, këtu e tete vjet më parë, në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u miratua Deklarata e Mijëvjeçarit, të cilën e kanë nënshkruar 189 vende.

Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit synojnë arritjen e disa standardeve të cilat do të sigurojnë zhvillim dhe përmirësim të jetës së shoqërive të vendeve të përfshira në këtë proces. Vlerat esenciale të marrëdhënieve ndërkombëtare të shekullit XXI përfshijnë lirinë, barazinë, solidaritetin, tolerancën, respektin për natyrën dhe ndarjen e përgjegjësive.

Orientimi botëror i Mijëvjeçarit ka për qëllim zhdukjen e hendeqeve dalluese brenda shoqërisë moderne dhe krijimin e kushteve të mirëqenies së përgjithshme.

Deri më 2015, të gjitha vendet me forca të veta si dhe me përkrahje nga jashtë, synojnë tejkalimin e vështirësive që lidhen me zhvillimin e tyre njerëzor e ekonomik dhe përgjysmimin e varfërisë ekstreme, shkollimin elementar, reduktimin në tri të katërtat e vdekshmërisë së foshnjave, zmbrapsjen e sëmundjeve ngjitëse etj.

Për shkaqet që dihen, Kosova nuk mund të ishte nënshkruese e Deklaratës në Samitin e Mijëvjeçarit në vitin 2000, por sot kur vendi ynë është shpallur shtet i pavarur dhe është njohur ndërkombëtarisht, Kuvendi mund ta adoptojë atë nëpërmjet të Rezolutës së propozuar për miratim. Ky eveniment i sotëm koincidon me Javën Ndërkombëtare kundër varfërisë, kurse lufta kundër varfërisë përbën njërin nga tetë Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit.

Synimet që dalin nga Deklarata e Mijëvjeçarit janë të rëndësishme për gjendjen aktuale në Kosovë. Politika e dhunës ndaj Kosovës dhe Lufta kanë lënë pasoja të rënda në të gjitha fushat, si varfëria e theksuar, prapambetja e arsimit, vdekshmëria e lartë e foshnjave, shëndeti i pambrojtur i nënës, përhapja e sëmundjeve ngjitëse, dëmtimi i ambientit etj.

Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit i shërbejnë edhe agjendës evropiane të përfshirjes sociale në Kosovë. Me përfshirjen sociale synohet zbutja e dallimeve sociale nëpërmjet të lehtësimit të përfshirjes në punësim, burime, produkte dhe shërbime, duke parandaluar përjashtimin social dhe duke ndihmuar me të cenuarit nga ky përjashtim.

Kuvendi do të angazhohet për arritjen e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit dhe do të mbështesë institucionet tjera si dhe shoqërinë civile në këtë drejtim, sepse këto synime të përbashkëta kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, integrimin evropian të tij dhe partneritetin ndërkombëtar. Miratimi i Rezolutës së Mijëvjeçarit në kohën kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, ka rëndësi të veçantë, pasi këto dy institucione relevante financiare në botë janë palët kryesore për Objektivat e Mijëvjeçarit në plan global. Miratimi, përshtatja kushteve konkrete të vendit dhe monitorimi e raportimi i arritjes së Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit, do t’i kontribuojë zhvillimit njerëzor e ekonomik në Kosovë, por edhe solidaritetit ndërkombëtar me këto përpjekje.

Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit nuk përbëjnë strategji zhvillimore më vete, por janë pjesë përbërëse e planifikimeve strategjike sociale dhe ekonomike. Ne presim që Qeveria dhe institucionet tjera, në procesin e hartimit të politikave dhe në strategjitë zhvillimore, të përgjithshme e sektoriale, të integrojnë Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, duke i kthyer ato në veprime konkrete dhe të përditshme. Zbatimi i objektivave do të kërkojë gjithashtu monitorim sistematik dhe raportim institucional të progresit.

Të ndodhur para objektivave kaq madhore, ne kemi nevojë për bashkimin e potencialeve, njohjen e sfidave dhe diskutimin e zgjidhjeve bashkërisht.

E ftoj Kuvendin e Kosovës që ta miratojë Rezolutën, duke i hapur kështu rrugën zbatimit të politikave të Deklaratës së Mijëvjeçarit dhe partneritetit ndërkombëtar në Kosovë për arritjen e objektivave të saj.

Me miratimin e Rezolutës, Kuvendi i Kosovës rikonfirmon përkushtimin e tij për partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet tjera, shoqërinë civile dhe prezencën ndërkombëtare në Kosovë, për arritjen e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit dhe të Agjendës Evropiane për Përfshirje Sociale.

Së fundi dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tonë të thellë ekipit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë për mbështetjen e deritanishme dhe gatishmërinë që të na ndihmojë në procesin e realizimit të Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit.

Ju falemnderit.