Lajmet e fundit
Rezolutë për OZhM
, 17.10.2008
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Duke ndërtuar shtetin e ri, sovran dhe duke forcuar demokracinë funksionale;
Duke riafirmuar dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për obligimin e saj që t’i respektojë parimet dhe vlerat e marrëveshjeve ndërkombëtare;
Duke vlerësuar përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për një botë më të mirë, më të drejtë, më prosperuese dhe paqësore dhe me qëllim që aktivisht t’u kontribuojë këtyre përpjekjeve;
Duke besuar që adoptimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit, nga e cila rrjedhin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, do të kontribuojë më tej në proceset e zhvillimit të Kosovës;
Duke pasur parasysh që Agjenda e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara është në përputhje me proceset e integrimit evropian dhe duke rikonfirmuar edhe aspiratën tonë për integrim evropian;
Me bindje që arritja e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit do të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar;
Të vetëdijshëm që përmirësimi i mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet arritjes së Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit do të ndihmojë vendin që të forcohet si burim i stabilitetit në vend dhe rajon;
Në frymë me parimet dhe vlerat e Kombeve të Bashkuara, dhe me përpjekje të shtuara që të arrijmë Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit,
Në seancën plenare të mbajtur më 17 tetor 2008, miratoi këtë
R E Z O L U T Ë
Për adoptimin e Deklaratës së Mijëvjeçarit
1. Adopton Deklaratën e Mijëvjeçarit, sipas tekstit të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara A/RES/55/2 të aprovuar me 8 shtator 2000;
2. I kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të krijojë partneritete globale, si dhe mirëpret përkrahjen ndërkombëtare në mobilizimin e përpjekjeve dhe të burimeve drejt arritjes së Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit në Kosovë;
3. Inkurajon autoritetet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat që të përfshihen në procesin e arritjes se Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit deri më 2015;
4. Zotohet që të miratojë kornizën e nevojshme ligjore dhe të krijojë politika të duhura që mundësojnë përfshirjen dhe përmbushjen e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit përmes planit përkatës kombëtar për zhvillim;
5. Siguron mekanizma dhe kapacitete të duhura institucionale, si dhe burime financiare të cilat lehtësojnë arritjen e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit;
6. Mbanë seancë vjetore për të diskutuar përparimin e arritur në lidhje me Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, bazuar në raportin e ofruar nga Qeveria, dhe
7. Inkurajon të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat, që të kontribuojnë në monitorimin dhe vlerësimin e progresit drejt arritjes së Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit.
Nr. 03-R-001
Prishtinë, më 17 tetor 2008
Kryetari i Kuvendit
Jakup KRASNIQI _______________