Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 17.10.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit qeveritar: Gashi, Rashiq,Kelmendi dhe Bajrami u përgjigjën në pyetjet e deputetëve.

Sipas propozimit të kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, Kuvendi përkrahu nismën për hartimin e një Rezolute për dënimin e krimeve të komunizmit në Republikën e Kosovës , në periudhën 1945-1999. Projektrezoluta do të hartohet nga Komisioni Për Gjyqësi dhe Legjislacion dhe sipas Rregullores së Punës do të procedohet në Kuvend për miratim.

Në vijim u shqyrtua për herë të parë Projektligji për masat antidamping, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë , Lutfi Zharku. Kuvendi miratoi në parim këtë Projektligj, duke e proceduar në shqyrtim të dytë. Pas shqyrtimit për herë të dytë deputetët aprovuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nr. 02/L-5 dhe Projektligjin për Noterinë. U miratuan edhe Rekomandimet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor , që kanë të bëjnë me ruajtjen e pyjeve të Kosovës. Në këtë vështrim u kërkua edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Pyjet. Ndërkaq, u shty miratimi i Rekomandimi Komisionit për Buxhet dhe Financa për shqyrtimin e Raportit të Grupit të punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 02/L-74 për revizionin e brendshëm, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për zbritjen e tarifës menaxhuese, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me propozimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës. Në seancën e sotme u hoq nga rendi i ditës edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Akreditim, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme dhe Projektligji për bujqësinë dhe zhvillimin rural .
Nga punimet e seancës plenare