Lajmet e fundit
Nga Java e Kuvendit në Prizren
, 20.10.2008
Java e Kuvendit, gjatë së cilës udhëheqja e Kuvendit të Republikës së Kosovës do vizitojë të pesë qendrat rajonale të vendit, ka filluar sot në qytetin e Prizrenit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarë të Kryesisë dhe deputetë të zonës ka bashkëbiseduar me anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit me qytetarë dhe me përfaqësues të komuniteteve të këtij rajoni.
Paraprakisht udhëheqja e Kuvendit të Kosovës ishte pritur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili e ka njoftuar atë për sukseset e komunës, sidomos për sa i përket rregullimit të infrastrukturës së qytetit dhe të fshatrave përreth, meremetimit të shkollave dhe ngritjes së ambulancave të reja.
Në takimin me anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, kryeparlamentari Krasniqi ka folur për punën që ka bërë dhe po bën Kuvendi i Kosovës për shtetësinë e Kosovës dhe rregullimin ligjor të të gjithë shoqërisë së Kosovës. Në këtë mes ai ka përmendur shpalljen e pavarësisë. miratimin e simboleve shtetërore, si dhe miratimin e Kushtetutës dhe të ligjeve nga Pakoja e Ahtisarit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë konform të drejtës ndërkombëtare dhe në koordinim me vendet më të fuqishme si SHBA-të dhe BE-ja. Kosova është njohur nga vendet më të fuqishme perëndimore që realizojnë shumicën e brutoprodhimit botëror, ka thënë ai.
Në vazhdim Krasniqi ka folur për objektivat kryesore të Kuvendit dhe të institucioneve e tjera të vendit. Miratimi i sa më shumë ligjeve të mira, menaxhimi i mirë me buxhetin e Kosovës, punësimi i sa më shumë qytetarëve, sepse kështu pasurohet vendi është, është shprehur Krasniqi. Shteti i ri, në rrethana të reja, ka për obligim të rregullojë ligjet dhe infrastrukturën për tërheqjen e investimeve të huaja. Jemi duke u përpjekur që të krijojmë raporte të mira ndërmjet qytetarëve dhe të komuniteteve. Këtë e kemi bërë edhe në Kushtetutë edhe në ligje. Me shpalljen e pavarësisë ne kemi bërë një përmirësim të padrejtësisë historike që u është bërë shqiptarëve, ka thënë Krasniqi, i cili ka theksuar se objektiv tjetër mbetet integrimi në BE dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, sidomos në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Kuvendarët e Kosovës kanë theksuar se të drejtat e komuniteteve janë kategori të garantuara kushtetuese dhe janë shprehur të kënaqur me integrimin e komuniteteve pakicë, pos atij serb.
Sekretari Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka folur për përbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe funksionimin e tij, kurse kryesuesi i mbledhjeve të Kuvendit Komunal, Njazi Kryeziu, ka folur për aktivitetet organit përfaqësues komunal dhe ka premtuar se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për interes të qytetarëve të Prizrenit dhe në mbështetje të institucioneve qendrore të Kosovës. Kuvendarët komunalë, por edhe deputetët e zonës, kanë shtruar pyetje të shumta, të cilave u janë përgjigjur parlamentarët e Kosovës.
Duke iu përgjigjur ndërkaq, pyetjeve të qytetarëve për pensionet, problemet e shëndetësisë, për mungesën e energjisë elektrike, vështirësitë e implementimit të ligjeve nga Pakoja e Ahtisaritet dhe kohën kur mund të ndryshohen ato, Krasniqi ka theksuar prapambeturinë e trashëguar ekonomike të Kosovës, shkatërrimet nga lufta dhe sidomos buxhetin e limituar të Kosovës. Vetëm me një zhvillim më të shpejtë ekonomik, mund të krijohen mundësi për pensione me të dinjitetshme për qytetarët tanë, ka thënë Krasniqi. Ligjet e Pakos janë hartuar me ndihmën e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, prandaj koha do të tregojë se sa do të jenë të funksionale dhe të zbatueshme ato ligje, si dhe kur do të shtrohet nevoja për zëvendësimin e tyre, ka thënë kreu i Kuvendit të Kosovës.
Pyetjeve të shumta të qytetarëve u janë përgjigjur edhe anëtarët e Kryesisë: Eqrem Kryeziu, Ibrahim Gashi, Xhezair Murat dhe deputeti Sadik Idriz (ish-ministër i Shëndetësisë).
Qytetarët kanë ngritur shqetësime lidhur me problemet në fshatin turistik në Prevallë, për gjendjen e vështirë të ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë sakrifikuar vetëm gjatë luftës por shumë më herët dhe pavarësia është kontribut i shumë e shumë gjeneratave. Të gjithë qytetarët kanë nevojë për jetë të dinjitetshme, ka theksuar Krasniqi.
Eqrem Kryeziu është shprehur se është krenar që ka qenë bartës i projektit Prevalla, duke theksuar se me te janë penguar uzurpimet dhe se në mënyrë të ligjshme bukuria e Sharrit u është afruar qytetarëve.
Në takim me komunitetet që jetojnë në Prizren është shfaqur kënaqësi për pavarësinë e Kosovës dhe për integrimin e qytetarëve nga radhët e komunitetit pakicë në Kosovë, e veçanërisht në Prizren, por se është kërkuar emancipim edhe më të madh i tyre në Kosovë, përfshirë këtu përfaqësimin më të mirë institucional, autonominë relative në shëndetësi, arsim dhe kulturë, por edhe krijimin e komunave të veçanta për komunitetin boshnjak dhe goran. Kësi soji, janë shprehur ata, do të shkonte më mirë edhe njohja ndërkombëtare e Kosovës.
Pjesëmarrësit në këtë takim kanë theksuar se Kosova është atdheu i tyre dhe duan të jetojnë, të arsimohen dhe të punojnë këtu.
Kryeparlamentari Krasniqi, por edhe anëtarët e Kryesisë kanë garantuar se Kuvendi, por edhe institucionet e tjera të Kosovës do të bëjnë të pamundurën për të realizuar në masksimum të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, sidomos të pjesëtarëve të komuniteteve.
Do të krijojmë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe kushte të barabarta për zhvillim, u kanë premtuar kuvendarët e Kosovës përfaqësuesve të komuniteteve në Prizren.