Lajmet e fundit

Nga Java e Kuvendit në Mitrovicë

, 21.10.2008




Dita e dytë e Javës së Kuvendit është mbajtur sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, gjatë së cilës kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarë të Kryesisë: Xhavit Haliti, Naim Maloku dhe Ibrahim Gashi, si dhe deputetë të zonës ka bashkëbiseduar me anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës dhe me qytetarë.

Takimin e ka hapur dhe e ka drejtuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i cili vizitën e sotme të udhëheqjes së Kuvendit e vlerësoi mbështetje të fuqishme për institucionet komunale dhe për qytetarët e kësaj ane.

Në fillim të takimit me anëtarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se me Kushtetutë, por edhe me ligje, pushteti lokal ka kompetenca të gjëra, si dhe e ka lavdëruar punën e mirë që po e bën Bajram Rexhepi. Në vazhdim ai ka folur për punën e Kuvendit të Kosovës në rrugën e shtetformimit dhe për miratimin e ligjeve.

Ndër të arriturat më të mëdha Krasniqi ka vlerësuar shpalljen e pavarësisë, miratimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të simboleve shtetërore.

Duke iu kundërvënë mendimeve të aty-këtushme se është lobuar pak për njohjen e shtetit të Kosovës, Krasniqi ka shprehur mendimin e tij se duke e pasur parasysh faktin që Kosovën e kanë njohur një varg shtetesh, të cilat dikuar kanë kontribuuar ndarjes së saj, është shprehur i kënaqur me numrin e vendeve që na kanë njohur vendin tonë.

Duke folur për vështirësitë e tranzicionit, Krasniqi ka vlerësuar se ndryshimet e mëdha që janë bërë do të prodhojnë efekte pozitive. E drejta ndërkombëtare është në anën tonë, i ka siguruar Krasniqi qytetarët e Mitrovicës.

Në vazhdim Krasniqi ka folur për objektivat kryesore të Kuvendit dhe të institucioneve e tjera të vendit, si zhvillimin ekonomik, lehtësitë për tërheqjen e kapitalit të huaj në ekonominë e Kosovës etj. Në këtë shërbim duhet të jenë jo vetëm institucionet qendrore, por edhe ato komunale, ka vlerësuar Krasniqi.

Objektiv tjetër mbetet respektimi i Kushtetutës dhe i ligjshmërisë si dhe integrimi në BE dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, ka pohuar kreu i Kuvendit.

Qytetarët e Mitrovicës kanë ngre shqetësime të ndryshme për jetën e tyre, për të ardhmen e komunës dhe të Kosovës. Ata kanë theksuar se mbi 150 mijë qytetarë të Mitrovicës nuk e gëzojnë të drejtën elementare të funksionimit të drejtësinë. Shumica e popullsisë jeton në kushte të varfërisë, sidomos në pjesën veriore të qytetit. Dogana nga kufiri shtetëror i Kosovës tani është vendosur në pjesën jugore të Mitrovicës (bri lumit Ibër). Ata kanë kërkuar mbështetje më e madhe ekonomike për Mitrovicën, e cila, siç janë shprehur ata, ka qenë dhe po mbetet peng i pavarësisë së Kosovës.

Qytetarët kanë kërkuar nga Qeveria dhe institucionet e tjera që të mbrohet Lagja e Boshnjakëve, të ndërpritet shitja e pronave të shqiptarëve dhe të kthehen banorët në gjithë pjesën veriore të qytetit.

Banorët e komunës së Mitrovicës i kanë pyetur kuvendarët e Kosovës se çka mund të bëjë Kuvendi i Kosovës për qytetarët e Mitrovicës; s i të zhvillohet Mitrovica dhe Kosova pa aktivizimin e Trepçës? A ka program social Qeveria?, e të tjera.

Me gjithë këtë, qytetarët kanë vlerësuar lëvizjet pozitive në pjesën veriore të Mitrovicës por kanë thënë gjithashtu se mbetet problem shitja e pronave të shqiptarëve. Ata, ndërkaq, kanë nge shqetësimin për tendencën që EULEX-i të vendoset më vonë dhe vetëm në pjesën shqiptare të veriut.

Krasniqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të qytetarëve ka theksuar se në Kosovë është bërë shumë për nëntë vitet e shkuara, por ka pasur mundësi të bëhej më shumë, por se kompetencat nuk kanë qenë në duart tona dhe se ka pasur një politikë jo të favorshme fiskale. Ai është angazhuar për më shumë organizim dhe punë të të gjithë segmenteve të jetës, si dhe për aktivizimin ekonomik të kapaciteteve të Trepçës.

Anëtari i Kryesisë, Xhatit Haliti, ka vlerësuar se të gjitha këto që u ngritën janë shqetësim, jo vetëm i institucioneve tona, por i të gjithë qytetarëve që sublimohet në atë se çka do të bëhet me Mitrovicën. Por ai ka tërhequr vëmendjen se nse ne i trajtojmë vetëm problenet e shqiptarëve do të bënim gabim, sepse do t’ijepnim shkas Serbisë të invilvohet në çështjet tona. Kritikat që, ndërkaq, vijnë në adresë të Kuvendit të Kosovës se nuk po merret shumë me Mitrovicën, vetëm nga larg duken të drejta, ka thënë ai. Zgjidhja e problemit me forcë nuk është e mundur, ka pohuar Haliti, i cili është zotuar se do t’i trajtojmë në mënyrë të barabartë pakicat, sepse nuk mund të jemi pjesë e integrimeve evropiane me probleme etnike të brendshme.

Naim Maloku ka theksuar se nuk duhet të ketë opozitë për çështjen e Mitrovicës, për lobimin për njohjen e Kosovës dhe për krijimin e mekanizmave të sigurisë, që është dashur të krijohen ditën e parë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Ai ka theksuar me kohë do të duhej të krijohej në grup gjithinstitucional dhe gjithpolitik për problemin e Mitrovicës.

Ibrahim Gashi në debat me qytetarë është shprehur se çështjet që u ngritën këtu janë shqetësime të kuptueshme, por të cilat do të duhej adresuar Qeverisë dhe jo Kuvendit. Duhen projekte ekonomike për Mitrovicën, përfshirë edhe aso multietnike, ka thënë ai. Duhet tu qëndrojmë përherë afër qytetarëve të Mitrovicës, sidomos duke i mbështetur financiarisht ne realizimin e projekteve ekonomike.

Kuvendarët e Kosovës, duke u përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve, i kanë garantuara ata se kufijtë e Kosovës janë të njohur ndërkombëtarisht dhe i kanë trimëruar ata të vendosin komunikim me qytetarët serbë, sidomos në këtë pjesë të Kosovës.
Nga Java e Kuvendit në Mitrovicë