Lajmet e fundit

Takim i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri me ministrin Fehmi Mujota

, 23.10.2008




Zhvillimet aktuale drejt konsolidimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ishin temë bosht e takimit të sotëm të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Rrustem Mustafa, kryetar i Komisionit , me ministrin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës , z.Fehmi Mujota . Lidhur me këto procese dhe me strukturën e Ministrisë , para anëtarëve të Komisionit foli ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës , z. Fehmi Mujota. Ai theksoi se tashmë në kuadër të kësaj ministrie kanë filluar të funksionojnë kapacitetet politike dhe të shërbyesve civilë. Në vijim, ai foli edhe për nevojat e Forcës së Sigurisë, trajnimet dhe bashkëpunimin me NATO-në. Si në fjalën hyrëse të z. Mujota , ashtu edhe në diskutime, u tha se do t’ i kushtohet kujdes i duhur edhe çështjes së sistemimit të pjesëtarëve të TMK-së, duke ditur se TMK-ja do të shpërbëhet. Tërë ky proces, u tha me këtë rast, do të zhvillohet në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Çështja e pjesës së pjesëtarëve të TMK-së , të cilët në bazë të kushteve të konkursit nuk do të mund të angazhohen në Forcën e Sigurisë, është rregulluar me ligj.

Nga fjalët e anëtarëve të Komisionit doli një konstatim i përgjithshëm se vërehet punë me përkushtim e Ministrisë në ngritjen e Forcës së Sigurisë, ashtu si parasheh Ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në këtë frymë , u tha se të gjitha aktivitetet, që kanë të bëjnë me ngritjen e një force kompetente dhe profesionale të sigurisë, po zhvillohen sipas një dinamike të përcaktuar mirë nga ana e Ministrisë. Komisioni shprehu qëndrimin unanim se do të jetë afër aktiviteteve të gjithëmbarshme të Ministrisë, duke e mbështetur në të gjitha sfidat që shtrohen para saj, në kuadër të realizimit të detyrave.

Në pyetjen që u shtrua me rastin e prononcimit para medieve, se kur do të kemi pajisjet dhe pamjen e pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Mujota tha se ato do t’ i kemi në fillim të vitit 2009.
Takim i  Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri me ministrin Fehmi Mujota