Lajmet e fundit

Nga Java e Kuvendit në Pejë

, 24.10.2008




Kryetari i kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, ka vizituar sot Pejën dhe ka bashkëbiseduar me kuvendarët e Pejës dhe ata të komunave përreth: Gjakovës, Deçanit, Klinës dhe Burimit, si dhe me qytetarë e Pejës, në të cilin takim merrnin pjesë edhe deputetë të zonës.

Duke i përshëndetur anëtarët e kuvendeve të këtyre komunave, kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se obligim yni është ta ndryshojmë të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Duhet të jemi krenarë për realitetin e ri të krijuar në Kosovës, sepse e kemi realizuar kauzën tonë shekullore, ka thënë ai. E drejta jonë për të qenë shtet është në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, sepse popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes, aq më tepër kur Serbia ka bërë 90 vjet ka bërë terror ndaj popullsisë shumicë të Kosovës, ka spikatur kreu i Kuvendit, duke shtuar se njohja nga vende të fuqishme demokratike, që nga Kanadaja deri në Japoni, ndarja e çmimit për Nobel për Ahtisarin dhe vendimi i Gjykatës së Drejtësisë për ta ftuar Kosovën ta mbrojë të drejtën e saj për pavarësi, e vërteton të drejtën tonë legjitime.

Në Ballkan, prandaj, nuk mund të ketë paqe e stabilitet nëse vazhdon të mendohet se me luftëra, dhunë dhe hegjemoni, mund t’u imponohesh të tjerëve në fqinjësi, ka thënë Krasniqi.

 Nuk jemi të kënaqur me shkallën e zhvillimit ekonomik, ka thënë kreu i Kuvendit, i cili ka theksuar se duhet përgatitur infrastrukturën për tërheqjen e invrestitorëve të brendshëm dhe të huaj, duke ndryshuar shumëçka në politikat fiskale. Duhet të bëhemi anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore që të krijojnë mundësi për zhvillim më të shpejtë ekonomik.

Në Bashkimin Evropian qytetarët e Kosovës do të shkojnë me vlerat dhe identitetin e tyre, ka thënë kreu i Kuvendit të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, ka theksuar se qëllimi i takimeve të tilla është t’ju njoftojmë për punën e Kuvendit dhe të marrim informacion nga ju se si po funksionojnë kuvendet komunale, a keni buxhet të mjaftueshëm dhe si është komunikimi i juaj dhe e qytetarëve me deputetë të zonës.

Kryetari i Komunës, Ali Brisha, i cili i ka drejtuar takimin, ndër vështirësitë e funksionimit të pushtetit lokal ka përmendur implikimet financiare të ligjeve të miratuara në KK, të cilat e vështirësojnë zbatimin e tyre, duke u ankuar se vonohen informacionet për ndarjen e projekteve për Komunën Pejës, e cila tanimë i ka mbi 150 mijë banorë, ndërkaq ka marrë grante qeveritare sikur komunat e vogla të Kosovës.

Në takimin me kuvendarët komunalë, por edhe në atë me qytetarë janë shtruar pyetje të shumta: Çfarë mekanizma ka Kuvendi i Kosovës për monitorimin e zbatimit të ligjeve për pushtetin lokal?A ka Kosova strategji të zhvillimit ekonomik të vendit? A ka vlerësuar Kuvendi çështjen e privatizimit? A e dinë deputetët vijën kufitare me Malin e Zi? Pse po lejohet dëmtimi i pyjeve? Kur Kuvendi do të debatojë ligjin për prejardhjen e pasurisë? Cila është strategjia lidhur me strukturat paralele në Kosovë? A monitorohet Fondi Pensional, duke pasur parasysh trendet negative në institucionet financiare të vendeve në botë. Çka ka bërë Kuvendi lidhur me investimet e huaja? , etj.

Të gjitha komunat ankohen se kanë më shumë banorë se sa vlerësojnë buxhetbërsit, është përgjigjur Krasniqi, i cili ka pohuar se ka një krizë ekonomike botërore, së cilës vështirë se mund t’i shpëtojë Kosova. Me ata që i kanë katandisur pyjet në këtë shkallë, nuk mund të përmirësohet gjendja. Duhet të funksionojë sistemi i drejtësisë, i cili duhet të reformohet.

Krasniqi ka pohuar se komisionet përcjellin zbatueshmrinë e ligjeve, por është shprehur se Kosova nuk ka strategji të përpunuar të zhvillimit ekonomik.

Para se të përgjigjej në pyetjet e shumta Xhavit Haliti, ka falënderuar për debatin kaq përmbajtësor për shqetësimet lidhur me problemet e komunave nga vijnë. Ai ka pohuar se e di që në disa zona kufiri i Malit të Zi është shtyrë në dëm të Kosovës. Ai ka ngritur zërin kundër dëmtimit të pyjeve për interes të njerëzve të pandërgjegjshëm. Haliti ka theksuar se me marrëveshjen e Ahtisarit kemi marrë obligim për mbrojtjen e pakicave.

Deputetët e zonës në këtë takim kanë shtruar çështje, por edhe janë përgjigjur në pyetjet e kuvendarëve komunalë dhe të qytetarëve:

Ali Lajqi: Shteti i Kosovës ka ecur mirë, por ka mbetur një preokupim tjetër – funksionimin e pushtetit lokal, pra të një shteti ligjor.Ministri e Ekonomisë dhe Financave t’i marrë kompetencat e plota, si parakusht të një zhvillimi të përshpejtuar të ekonomisë së vendit. Ai është ankuar për buxhetin e vogël të komunës së Pejës, sipas kritereve jo shumë të drejta.

Berim Rasmosaj: Një ndër sfidat që e preokupon udhëheqjen e Kosovës, pos njohjes së pavarësisë dhe sigurisë, është zhvillimi ekonomik.Taksa mbi pronën duhet të jetë baza e të ardhurave, ka thënë ai dhe ka shtuar se Komuna e Pejës ka shanse të mëdha për një zhvillim të përshpejtuar, nëpërmjet investimeve direkte dhe jo vetëm me investime buxhetore.

Numan Baliq: Koordinimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe kuvendeve komunale, si dhe kontrolli parlamentar i Qeverisë, është çelësi i funksionimit të pushtetit. Peja ka boshnjakë, egjiptianë dhe romë. Duhet të zhvillohet fshati. Duhen kredi, investime për rregullimin e lagjeve të qytetit.

Armend Zedmaj: Rinia është resursi më i madh i Kosovës, prandaj duhet mbështetur dhe duhet investuar për përparimin e saj.

Adem Handari: Deputetë i njohin kufijtë edhe administrativë dhe etnik, besoj se çështja do të rregullohet me marrëveshje ndërmjet dy qeverive.

Gjylnaze Syla: Kriza financiare e godet Trustin Pensional, edhe për shkak se nuk është plotësuar bordi i tij.

Safete Hadrgjinaj: Politika fiskle janë të njëjta që nga përfundimi i luftës dhe fare të përshtatshme, kurse ndryshimet e tyre do të vlejnë vetëm nga fillimi i viti 2009.

Besa Gaxherri: Problemet vijnë nga politika. Ne vetë duhet t’i ndryshojmë gjerat, të cilat nuk shkojnë.

Xhevdet Neziri: Kuvendi duhet të iniciojë ndërprerjen e disa proceseve negative për buxhetin e Kosovës.

Mimoza Ahmeti: Mjetet për shëndetësi dhe sigurimin shëndetësor janë tepër të vogla. Nuk ka shëndetësi pa para.

Në takim është theksuar se veteranët e luftës janë shtresa më pozitën më të vështirë materiale, kurse ka pasur ankesa të shumta për gjendjen e pensionistëve të Kosovës. Janë shtruar, ndërkaq edhe kërkesa si:

Të hapet universiteti publik në Pejë; Kosova të mos jetë një njësi zgjedhore dhe të ndryshohet urgjentisht ligji për arsimin fillor dhe të mesëm.

Kryeparlamentari Krasniqi: Fondi Pensional i Kosovës është plaçkitur. Institucionet tona duhet të krijojnë rishtas këtë fond. Problemi qëndron tek kontrabanda, korrupsioni, doganat etj. Na duhet rend, ligj dhe siguri. Institucionet nuk janë të partive politike por të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Buxheti i Kosovës na detyron shpesh here ta radhisim apo jo për miratim ndonjë ligj për shkak te kostos financiare, ka përfunduar kreu i kuvendit të Kosovës

Nga Java e Kuvendit në Pejë