Lajmet e fundit

Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës

, 28.10.2008




Në Kuvendin e Kosovës , sot, u mbajt një seancë solemne, në shenjë nderimi ndaj kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Herman Van Rompuy. Në seancë merrnin pjesë edhe udhëheqës të lartë të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.

Duke i uruar mirëseardhje z. Herman Van Rompuy, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës, është i nderuar me praninë e z. Rompuy në këtë sallë, por kjo nuk është lidhja e parë as e vetme. Kuvendi i Kosovës ka përfituar shumë nga projekti dyvjeçar i konsorciumit të katër parlamenteve evropiane, pjesë e të cilit ishte edhe Dhoma e Përfaqësuesve të Belgjikës, por edhe nga mbështetja gjashtëvjeçare e drejtpërdrejtë e Parlamentit të Belgjikës.

Në vijim kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Belgjika ka qenë gjatë dhe në kohë të vështira në mbështetje të Kosovës . Pas shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Belgjika mike ishte ndër vendet e para që e njohu Republikën e Kosovës, duke i qëndruar afër në sprova të shtet ndërtimit dhe të njohjes ndërkombëtare.

“Unë dua ta shfrytëzoj edhe këtë rast që më jepet për t’ju shprehur Juve dhe Parlamentit e vendit tuaj mirënjohjen e thellë, në emër të Kuvendit të Kosovës, të qytetarëve dhe timin personalisht për gjithë atë që keni bërë për Kosovën e për qytetarët e saj.

Pavarësia e Kosovës, tashmë është njohur nga 51 vende anëtare të OKB, po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Në partneritet ndërkombëtar, ne po ndërtojmë shtetin e ri me një rend kushtetues të demokracisë moderne, me një shoqëri të lirë e sovrane dhe në barazi të plotë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim. Kosova është kthyer në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Duke qenë qendra e Bashkimit Evropian, Brukseli për ne përbën interesin e dyfishtë të marrëdhënieve me të, sepse prioriteti ynë më i lartë strategjik është integrimi evropian. Aderimi në familjen e madhe evropiane, së cilës Kosova i takon që nga antika, do t’i sigurojë asaj zhvillim demokratik, përparim ekonomik, mirëqenie sociale dhe harmoni me vendet tjera në Rajon dhe në kontinent”, tha z. Krasniqi.

Në vijim të pranishmëve iu drejtua kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Herman Van Rompuy, i cili theksoi se populli i Kosoves ka meritën e pamohueshme që në mes gjithë kësaj rrëmuje, ata vazhduan të besojnë në historinë e tyre unike dhe në të ardhmen. Ajo e ardhme akoma nuk njihet nga të gjitha vendet, mirëpo, madje edhe Belgjikës, që u themelua në 1930, iu desh te priste jo me pak se 9 vjet për të përcaktuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj.

Belgjika e njohu Republikën e Kosovës një dite pas shpalljes së pavarësisë. Simpatia dhe mbështetja morale janë të rëndësishme, por veprimet janë shumë më të rëndësishme. Belgjika i ka dhëne mbështetje të pa rezervë procesit që solli vendin tuaj tek pavarësia. Kjo pavarësi ishte shpërblim për durimin e pakufi që populli i Kosovës dhe udhëheqësit e tij treguan në rrugën drejt 17 shkurtit 2008.

Askund në botë nuk ka qenë influenca e komunitetit ndërkombëtar kaq direkte dhe kaq e gjithanshme sesa në Kosovë. Belgjika gjithashtu kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkan.

Belgjika gjithmonë është ndjere e angazhuar për së afërmi në Kosovë, jo vetëm në pikëpamjen ushtarake dhe civile, por gjithashtu edhe përmes angazhimit në shkallë të gjerë në organizatat ndërkombëtare. Në 2006-tën Belgjika, atë kohë kryesuese e Presidencës së OSBE-së vazhdimisht tregoi angazhimin e saj në bashkëpunimin multilateral dhe ndërkombëtar. Një dialog i gjerë dhe bashkëpunim i ngushtë ndërmjet OKB-së , SHBA-së, BE-së, OSBE-së, NATO-s, Beogradit dhe Prishtinës erdhi si domosdoshmëri në atë kohë. Si anëtare e KS të OKB-së gjatë dy viteve të shkuara, Belgjika gjithashtu ka punuar intensivisht drejt kërkimit të një zgjidhjeje përfundimtare për Kosovën, si pasojë edhe e kupton plotësisht perspektiven evropiane të këtij rajoni.

Në vitin 2010 vendi im do të luajë përsëri një rol të dukshëm në skenën botërore, kur do te marrë Presidencën e BE-se nga Spanja.

Me deklaratën e Pavarësisë dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës me 15 qershor 2008, Kosova më në fund formoi shtetësinë. Komuniteti ndërkombëtar nuk është më prezent në Kosovë për të imponuar pikëpamjet e tij, por thjesht të mbështesë dhe këshillojë.

Pas seancës solemne Herman Van Rompuy dhe kryeparlamentari Krasniqi mbajtën një konferencë për media . Vlerësim unanim ishte se Kosova dhe Belgjika në vazhdimësi janë duke ecur me hapa të sigurt drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjithë lëmenjtë.

Delegacioni belg sot përfundoi vizitën e frytshme zyrtare në Kosovë, ndërsa nesër në mëngjes niset drejt Belgjikës nga Aeroporti i Prishtinës.

Në kuadër të delegacionit të Belgjikës ishte edhe bashkëshortja e z. Herman Van Rompuy, zonja Geetrui Windels. Gjatë vizitës, zonjën Windels e ka shoqëruar bashkëshortaja e kryeparlamentarit Krasniqi, Sevdije Krasniqi. Zonjat Geetrui Windels dhe Sevdije Krasniqi gjatë kësaj vizite zhvilluan një sërë aktivitetesh . Të shoqëruara edhe nga deputete të Kuvendit të Kosovës , ato vizituan Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, Muzeun Etnologjik dhe çerdhen e fëmijëve “Sos Kinderdorf”. Me këtë rast ato u njohën me veprimtarinë e këtyre institucioneve. Zonja Krasniqi, në shenjë nderimi shtroi edhe një darkë për zonjën Geetrui Windels.
Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës