Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë pritën delegacionin parlamentar të Belgjikës

, 28.10.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë (në përbërje të plotë), para seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, së cilës i është drejtuar kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Herman Van Rompuy, ka pritur sot delegacionin parlamentar të Belgjikës, të kryesuar nga z. Van Rompuy.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke u uruar parlamentarëve belgë mirëseardhje në Republikën e Kosovës, ka shprehur falënderimet më të thella të tij për mbështetjen e madhe të Belgjikës për Kosovën dhe popullin e saj, për njohjen e shpejtë të shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe për ndihmën dhënë Kuvendit të Kosovës. Ai ka shprehur konsideratat më të larta për Parlamentin belg dhe sidomos për angazhimet z. Van Rompuy për çështjen e Kosovës, ndërkaq, ka shprehur edhe gatishmërinë e legjislativit të vendit për të marrë përvojat parlamentare të vendeve demokratike.

“Jam i impresionuar me të arriturat e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe jam krenar që ndodhem në Kosovën e lirë, e cila po e kalon suksesshëm rrugën nga lufta civile në demokraci”, ka thënë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Belg Herman Van Rompuy, i cili është shprehur se beson në suksesin e Kosovës në rrugën e shtetësisë dhe të demokracisë së vendit. Ai ka theksuar vullnetin e parlamentit belg për ta thelluar bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, të filluar këtu e gjashtë vjet më parë, si dhe ka theksuar pjesëmarrjen belge në KFOR, EULEX dhe UNMIK, në mision të paqes dhe stabilitetit në Kosovës dhe rajonit. Ai ka premtuar se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbështesë Kuvendin dhe institucionet e tjera të shtetin e ri të Kosovës.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kanë shprehur, gjithashtu, falënderimet më të sinqerta për mbështetjen belge për Kosovën.

Edhe deputetët belgë, në këtë takim, kanë shprehur gatishmërinë subjekteve të tyre parlamentare për ta thelluar bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe mekanizmat e tij të punës.
Anëtarët e Kryesisë pritën delegacionin parlamentar të Belgjikës