Lajmet e fundit

Fjalë e Kryetarit Krasniqi, me rastin e 85-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë

, 29.10.2008




I nderuar zoti Sarniq,
Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj

Është kënaqësi për mua që në emër të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj, të uroj përfaqësuesit diplomatikë turq në Kosovë, udhëheqjen dhe popullin turk për Ditën e madhe të shpalljes së Republikës së Turqisë më 29 tetor të vitit 1923.

Turqia mike gjatë këtyre 85 viteve të shtetit modern ka bërë hapa historikë të zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm, duke u kthyer në një fuqi të madhe ekonomike dhe faktor ndërkombëtar i paqes e demokracisë.

Në këtë ditë solemne, dëshiroj të rikonfirmoj marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve tona. Republika e Turqisë ishte dhe vazhdon të jetë në mbështetje të Republikës së Kosovës. Turqia ishte nga vendet e para që e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Ne e çmojmë lart kontributin e Turqisë, duke ndikuar te vendet e saj mike, për ta njohur sa më gjerësisht Republikën e Kosovës.

Ambasada e Turqisë në Kosovë, e udhëhequr nga Ju zoti Sarniq ka pasur rol të fuqishëm për thellimin e marrëdhënieve të dy vendeve tona. Hapja së shpejti e Ambasadës së Kosovës në Turqi, do të jetë në funksion të përparimit të këtyre marrëdhënieve, jo vetëm në fushën politike, por edhe në ekonomi, arsim, kulturë, siguri etj.

Si vende të Rajonit tonë, Kosova dhe Turqia do të jenë partnerë të iniciativave të përbashkëta, në shërbim të bashkëpunimit, të paqes e të integrimeve.

Në këtë ditë kremte, Shtetit dhe popullit mik turk u dëshiroj zhvillim dhe mirëqenie e suksese të reja.

Ju faleminderit