Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport

, 03.11.2008




Çështja e akreditimit e institucioneve private të arsimit të lartë, vështruar në dritën e Raportit të Këshillit Britanik për Akreditim dhe vendimit që pasoi nga ane e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për të ndaluar regjistrimin e studentëve të rinj në këto institucione në vitin akademik 2008_2009, ishte temë bosht e dëgjimit të sotëm publik, të organizuar nga ane e Komisionit për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport, i kryesuar nga Agim Veliu, kryetar i komisionit, në të cilin ishin ftuar përfaqësues të institucioneve private të arsimit superior të Kosovës.

Në fjalët e përfaqësuesve të Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë dhe të universitetit “Dardania”, u tha se megjithëse akreditimi është një proces mjaft kompleks, ai u bë në afat të shkurtër. Si vizita, ashtu edhe analiza e vlerësimet nga ana e Këshillit Britanik u bënë shumë shpejt, përkatësisht pa i definuar kriteret e akreditimit. Tërë ky proces kaloi pa u dëgjuar fjala e institucioneve të arsimit superior. Në këtë mënyrë është shkelur Ligji mbi Arsimin e Lartë dhe Kushtetuta. Gjithë kjo i demotivoi institucionet e larta, pasi të gjitha u futën në një thes. Nuk u tha se cilat universitete nuk i plotësuan këto apo ato kritere, çka vlen e çka nuk vlen në punën e tyre. Kjo tregon se u morën masa administrative ndaj këtyre universiteteve pa u peshuar mirë. Përfaqësuesit e institucioneve të arsimit superior në vijim u përgjigjën edhe në disa pyetje të anëtarëve të Komisionit.

Pas debatit u mor qëndrim që këto vërejtje të shqyrtohen në një mbledhje të ardhshme nga ane e komisionit për të nxjerrë rekomandimet e nevojshme lidhur me këtë çështje.

Binte në sy se disa universitete, megjithëse ishin ftuar, nuk iu kishin përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në këtë dëgjim publik.
Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport