Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 04.11.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, duke i shqyrtuar kërkesat e shumta të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve për udhëtime jashtë vendit, ka konfirmuar Vendimin e mëhershëm për lejimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, nëpërmjet të cilit synohet të vihet rend dhe rregull në këtë plan.

Në pajtim me këtë vendim, Kryesia ka vlerësuar se çdo kërkesë për të marrë pjesë në ndonjë takim jashtë vendit duhet të jetë në funksion të diplomacisë parlamentare, ndërsa kërkesa nga organizatori duhet t’i adresohet Kuvendit të Kosovës. Vetëm pasi të jetë regjistruar dhe shqyrtuar nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, kërkesa i përcillet Kryesisë, e cila përfundimisht e lejon ose jo një udhëtim të tillë.

Kërkesën e Qeverisë për procedim të Projektligjit për të drejtat e ish-të burgosurve politikë, Kryesia ia ka përcjellë Komisionit për Buxhet dhe Financa, për të parë se a janë plotësuar kushtet për sa i përket kostos financiare të zbatimit të tij.

Në këtë takim Kryesia e ka lejuar vendosjen e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit në zyrat e Aneksit të liruar të Kuvendit të Kosovës.

Kryesia është njoftuar nga KPM-ja për Listën e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së. Me këtë rast është vendosur që të krijohet komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së. Komisioni do të përbëhet nga një anëtarë i çdo partie politike të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Kandidatët e përzgjedhur do të votohen në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit