Lajmet e fundit

Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, zotit Jakup Krasniqi me rastin e vizitës së Sekretarit të Jashtëm të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, zotit David Miliband, në Kuvendin e Kosovës

, 05.11.2008




Të nderuar deputetë,
I nderuar President, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj

Sot jemi të nderuar ta kemi midis nesh, Sekretarin e Jashtëm të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, zotin Dejvid Miliband, të cilin e përshëndes në emrin tuaj dhe timin, duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës e në këtë seancë solemne parlamentare.

I nderuar miku ynë, zoti Miliband,

Ardhjen Tuaj në Kosovë e përjetojmë si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe si mesazh të fuqishëm të Qeverisë britanike për miqësinë dhe kujdesin ndaj vendit dhe popullit tonë.

Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë e historik në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës, në rindërtimin e rimëkëmbjen e vendit tonë të dalë nga lufta shkatërruese dhe në sigurinë e në ngritjen e themeleve të Kosovës së re. Vendi juaj zoti Miliband, ndër të parët e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, duke u bërë shembull edhe për shumë aleatë e miq në gjithë rruzullin tokësor. Unë dua ta shfrytëzoj edhe këtë rast që më jepet për t’ju shprehur Juve personalisht, Qeverisë dhe Parlamentit e vendit tuaj mirënjohjen e thellë, në emër të Kuvendit të Kosovës, të qytetarëve dhe timin personalisht për gjithë çfarë keni bërë për Kosovën e për qytetarët e saj. Ju sigurojmë që investimi juaj dhe ai ndërkombëtar për shtetin e Kosovës do të shkojë në dobi të gjithë qytetarëve të saj, në dobi të demokratizimit të vendit tonë dhe do t’ i shërbejë paqes e sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

Gjatë këtyre më pak se nëntë muajve të pavarësisë, Kosova ka ndryshuar shumë, duke bërë përparime të dukshme në të gjitha fushat. Një nga të arriturat më domethënëse politike që na bën të krenohemi, padyshim është vendosja e një rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Përkushtimi ynë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, ka dëshmuar se në Kosovë jo vetëm mund të bashkëjetohet në diversitet, por edhe të nisë procesi i pajtimit ndëretnik, pavarësisht të kaluarës konfliktuoze.

Mbi bazën e vlerave demokratike që po krijohen çdo ditë në Kosovë, pavarësinë e saj tashmë e kanë njohur mbi 50 vende anëtare të OKB-së. Kosova e mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, në partneritet me të po e ndërton shtetin e ri të demokracisë moderne, me një shoqëri multietnike, të lirë e sovrane. Ditët e para pas shpalljes së pavarësisë, ne kemi arritur të menaxhojmë situata trazirash në veri të Kosovës, por vendi ynë shumë shpejt është kthyer në jetën normale dhe në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Në Kosovë, te të gjithë qytetarët pa asnjë dallim, po ngrihet vetëdija për përpjekjet e bashkuara në ndërtimin e shtetit të përbashkët demokratik dhe për luftën kundër varfërisë, armikut të shumicës dhe pakicës.

Filozofia politike e Bashkimit Evropian për zgjidhjen paqësore të të gjitha problemeve, tashmë është bërë orientim yni, kurse proceset integruese evropiane do t'i sigurojnë Kosovës zhvillim demokratik, përparim ekonomik, mirëqenie sociale dhe harmoni me vendet tjera në Rajon dhe në Kontinent. Duke qenë alternativa e vetme dhe prioriteti ynë strategjik integrimi evropian dhe euroatlantik, ne presim nga Ju dhe nga gjithë miqtë tanë, të na mbështetni edhe në këtë proces historik dhe jetik për popullin e Kosovës, i cili do t'i sjellë në familjen e madhe të popujve evropianë vlerat e tij antike dhe moderne.

Që Kosova të ketë perspektivën e sigurt dhe duart e zgjidhura për zhvillim, aktualisht ka nevojë të ndihmohet në funksionalizimin e institucioneve dhe zbatimin e kushtetutshmërisë në gjithë territorin e saj. Në këtë kuptim, shtrirja e EULEX-it sipas Pakos së Ahtisaarit dhe pa asnjë kushtëzim, është imperativ i kohës që nuk duhet shtyrë. Beogradit nuk duhet lejuar që t'i mbajë peng qytetarët serbë të Kosovës, për qëllime obstruksioni, sepse ky nuk është interesi i Kosovës as i komunitetit serb të saj.

Duke ju falënderuar edhe njëherë, kam kënaqësinë t'ju ftoj t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.