Lajmet e fundit

Kryeparlamentarit Krasniqi dhe Kryesisë së Parlamentit të Kosovës iu dorëzua Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian

, 06.11.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, kishte sot një takim me kryesuesin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, z. Renzo Daviddi dhe me shefin e politikave ekonomike dhe integruese evropiane, z.Khaldoun Sinno. Me këtë rast kryeparlamentarit Krasniqi dhe Kryesisë iu dorëzua Raporti vjetor i Komisionit Evropian ( tetor 2007- tetor 2008). Në fillim të takimit kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës përgëzoi përfaqësuesit nga Komisioni Evropian për dorëzimin e këtij Raporti, i cili, si tha kryeparlamentari Krasniqi, do të jetë udhërrëfim për Parlamentin e Kosovës dhe për institucionet tjera të Kosovës. Në këtë frymë, Parlamenti i Kosovës këtë Raport do ta konsiderojë si program të vetin, drejt synimit jetik për t’ u bërë pjesë e integruar e Unionit Evropian. Raporti ka identifikuar të arriturat dhe problemet në Kosovë. Ne do të bëjmë përpjekje të pareshtura që ta shkurtojmë sa më shumë që është mundur rrugën që na çon në realizimin e synimit për t’ u anëtarësuar në UE, theksoi z. Krasniqi.

Në vijim fjalën e mori, z. Renzo Daviddi, i cili dha një pasqyrë të thukët mbi këtë Raport të Progresit. Duke u ndalur në çështjet më kryesore të përmbajtjes së tij , ai veçoi se në këtë Raport flitet për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Unionit Evropian, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, kapacitetet e Kosovës për të përfillur standardet ndërkombëtare lidhur me zbatimin e legjislacionit, përkatësisht përafrimin e ligjeve të Kosovës me ato të UE-së. Ndër të arriturat që vlerësohen lart në këtë raport, z. Renzo Daviddi, përmendi faktin se është mbajtur stabiliteti politik e social, megjithëse janë dhënë parashikime të ndryshme për situatën pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Këto parashikime nuk dolën, Kosova vazhdoi ecjen përpara në bashkëveprim me UE-në. Një element shumë i rëndësishëm, theksoi z. Renzo Daviddi , është aprovimi i Kushtetutës së Kosovës , i cila iu përmbahet standardeve evropiane. Në Raport është vlerësuar mirë edhe progresi ekonomik në Kosovë.

Ka edhe disa pika jo pozitive në Raport, theksoi Renzo Daviddi , të cilat evidentohen edhe me qëllim stimulimi për tejkalimin e tyre. Në këtë vështrim ai u ndal te fokusimi në çështjen e statusit të Kosovës, i cili u reflektua në ngadalësimin e zhvillimit në përgjithësi. Zgjidhja e statusit të Kosovës ka qenë ngjarje shumë e rëndësishme, por është e nevojshme që të ndërmerren hapa për të ecur përpara. Ai pastaj foli edhe për marrëdhëniet Kuvend- Qeveri, që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Strukturat paralele, vijoi z. Renzo Daviddi, kanë penguar institucionet e Kosovës në punën e tyre. Mirëpo, duke ditur se korniza ligjore lidhur me komunitetet është mjaft e avancuar , shpresohet të arrihen rezultate më të mëdha në këto segmente.

Z. Renzo Daviddi, pastaj foli lidhur me synimin e Komisionit Evropian për për të bërë një studim mbi fizibilitetin në Kosovë, që do të jetë si bazë për mënyrat e afrimit të Kosovës drejt Unionit Evropian. Procesi i përafrimit me UE-në nuk është i shkurtër, por me rëndësi është të fillohet ky proces. Ndërkaq, fizibiliteti është hapi i parë drejt arritjes së këtij qëllimi.

Edhe në diskutimet e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dilte konstatimi se ky Raport është shumë i rëndësishëm, ndaj ai do të studiohet thellë për të bashkëbiseduar edhe më gjerësisht me mekanizmat e Komisionit Evropian për të avancuar më tej proceset që zhvillohen në Kosovë.

Në këtë frymë Sabri Hamiti theksoi se kemi konsideratë për këso dokumente , të cilat bëhen edhe mbi bazë të të dhënave nga burime të pavarura. Gëzon fakti, tha ai, që tani Kosova po analizohet në mënyrë të veçantë . Po kështu, është mirë që do të bëhet një Raport për fizibilitetin në Kosovë. Rekomandimet e Raportit, tha Hamiti, hapin rrugë se nga duhet të shkojmë, meqë tash na duhet shumë punë.

Xhavit Haliti u angazhua për më shumë takime të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Këto takime janë të nevojshme, sepse ato na vënë në lëvizje, duke na treguar edhe dobësitë. Ne jemi të interesuar të kryejmë detyrat e shtëpisë mirë, tha Haliti.

Ibrahim Gashi tha se Raporti do të studiohet në detaje, ndërsa në vijim ai shtroi edhe pyetjen se a ka pasur konsultime Zyra Ndërlidhëse me Qeverinë për dukuritë negative që zihen në gojë në këtë Raport. Lidhur me këtë , z. Renzo Daviddi, tha se gjithnjë synojmë të intensifikojmë dialogun politik.

Sllobodan Petroviqi tha se të dhënat dhe vlerësimet e raportit janë me interes për qytetarët tanë. Ne duhet të takohemi sa më shpesh, përkatësisht të kemi dialog për çdo gjë.
Kryeparlamentarit Krasniqi dhe Kryesisë së Parlamentit të Kosovës iu dorëzua Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian