Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 11.11.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që dy seancat plenare të radhës të mbahen më 20 dhe më 21 nëntor, si dhe e ka përcaktuar rendin e ditës për këto seanca.

Në fillim të seancës së 20 nëntorit, Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse më pastaj do të procedohet me miratimin e ligjeve. Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga rrezatimi jojonizues, jonizues dhe siguria nukleare, kurse më pastaj do të shqyrtohen Rekomandimet për amendamentimin e tri ligjeve të miratuara më parë: Ligjit për ngrohjen qendrore, nr. 03/L-049, të atij Për procedurën jokontestimore, nr.03/L-007, si dhe të Ligjit për avokatinë, nr. 02/L-040.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen Projektligji për Inspeksionin Bujqësor, si dhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akreditim. Do të shqyrtohet gjithashtu edhe Raporti për gjendjen mjedisore.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Planin Strategjik të Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 02/L-74 për revizionin e brendshëm.

Në seancë do të shtrohet edhe Rekomandimi i këtij komisioni lidhur me propozimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, nëse partnerët e koalicionit merren vesh deri në kohën e mbajtjes së seancës.

Kryesia ka vendosur që kërkesën e dy grupeve të deputetëve për debat parlamentar për situatës në Trustin Pensional, ta radhisë për këtë seancë plenare.

Është shqyrtuar edhe kërkesa e Grupit parlamentar të AAK-së për të ftuar në interpelancë kryeministrn Hashim Thaçi, lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për progresin në Kosovë, për çka është njoftuar Qeveria dhe pritet përgjigjja e kryeministrit.

Në seancën e 21 nëntorit do të shqyrtohet vetëm një pikë e rendit të ditës: Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2009.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit