Lajmet e fundit

Një delegacion i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Xhavit Haliti, do të marrë pjesë në punimet e sesionit vjetor të 54-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-së

, 12.11.2008




Nga data 14 deri 18 nëntor të këtij viti, një delegacion i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, në përbërje të cilit do të jenë edhe Naim Maloku e Slobodan Petroviq, me ftesë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të marrin pjesë në punimet e sesionit vjetor të 54-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-së. Në këtë sesion, i cili mbahet në qytetin Valencia të Spanjës, marrin pjesë më se 500 delegatë nga shtetet anëtare të NATO-s, Parlamentit Evropian, asambletë interparlamentare dhe të ftuar të tjerë.

Një nga temat e diskutimit të Komisionit mbi dimensionin civil të sigurisë i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është Raporti i raportuesit gjeneral Z. Vitalino Cannas “Kosova dhe e ardhmja e sigurisë në Ballkan”.

Gjatë sesionit vjetor, pritet që delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës të organizojë edhe takime të ndryshme me deputetë nga shtetet anëtare të NATO-s, vendeve të Bashkimit Evropian dhe vende tjera që marrin pjesë, për t’ju kërkuar atyre ndihmën për integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Nga Aeroporti i Prishtinës delegacioni do të niset drejt Valencias më 14 nëntor, në orën 15. 30.