Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme shqyrtoi Raportin e progresit

, 12.11.2008




Megjithëse ishte paralajmëruar se Raportin Komisionit Evropian për progresin në Kosovës para Komisionit për Punë të Jashtme do ta prezantonte Renzo Daviddi, kryesues i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, atë e ka paraqitur përfaqësuesi i kësaj Zyre, Khaldoun Sinno, i cili ka pohuar se Komisioni Evropian është munduar ta përpilojë një raport të saktë të zhvillimeve në Kosovë dhe të veprimeve, duke e ruajtur neutralitetin. Ai ka spikatur se raporti nuk është ashtu negativ, siç e kanë prezantuar mediet ditëve të fundit.

Ndër të arriturat e Kosovës, Sinno ka përmendur stabilitetin politik të vendit dhe bashkëpunimin me BE-në, por edhe pjesëmarrjen në takimet rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe miratimin e Kushtetutës, dhe të një varg ligjesh, të cilat janë në harmoni me legjislacionin e vendeve të BE-së.

Ngecjet dhe vështirësitë më të mëdha në Kosovës, Sinno i ka parë në kapacitetin e pamjaftueshëm të administratës së institucioneve, koordimimin jo të mirë ndërqeveritar, ndërministror dhe atë Kuvend-Qeveri, nivelin e ultë të gjyqësorit, moskontrollimin nga institucionet e vendit të gjithë territorit të Kosovës, dhe për pasojë, lulëzimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sinno ka pohuar se deri në tetor të vitit të ardhshëm do të publikohet një studim fizibiliteti për Kosovën, për të parë kahet e bashkëpunimit në rrugën drejt integrimit në BE.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti, i cili e ka udhëhequr këtë takim raportin e ka vlerësuar si përshkrim të saktë të gjendjes në Kosovë, por edhe ka ngritur shqetësimin e tij, duke konstatuar se një gjendje e tillë është edhe për faktin që këtu zbatohen tri lloj ligjesh (të Kosovës, të UNMIK-ut dhe të ish-Jugosllavisë), si dhe për faktin tjetër që në vend se të zhbëheshin, sa vijnë e po forcohen strukturat paralele serbe në Kosovë. Ai,ndërkaq, është shprehur se nëse mjetet e informimit në Kosovë janë jo vetëm të ndikuara, por edhe të kërcënuara, siç theksohet në raport, atëherë vërtetë duhet të alarmohemi.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit Raportin e progresit në Kosovë e kanë vlerësuar real, por kanë konstatuar edhe një varg pasaktësish materiale, të cilat duhet të evitohen
Komisioni për Punë të Jashtme shqyrtoi Raportin e progresit