Lajmet e fundit
Fjalimi i anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, z. Xhavit Haliti, në Asamblenë parlamentare të NATO-s
, 17.11.2008
I nderuari z. Kryesues,
Zonja dhe Zotërinj,
Ndihem i nderuar që jam i pranishëm përsëri mes jush dhe ju falënderoj që më dhatë mundësinë të flas e të përcjell mirënjohjen e Kryesisë së Parlamentit të Kosovës, për vëmendjen dhe përkujdesjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Kosovën.
Janë bërë 9 muaj që Kosova është shpallur e pavarur, dhe në historinë e një shteti, për krijimin, konsolidimin dhe funksionimin e institucioneve të tij, mendoj se 9 muaj janë shumë pak. Nuk përcjell mendimin personal kur deklarohem se Kosova - shtet i pavarur, i njohur si i tillë nga 52 vende, ka ecur përpara me përgjegjshmëri dhe me kujdes për të evituar çdo shqetësim në rajon. Aktualisht njihemi si shtet i pavarur nga 3 shtete kufitare dhe kemi shmangur çdo konflikt me Serbinë.
Duke ju falënderuar edhe një herë për rimarrjen në shqyrtim të ecurisë me të cilat përballet aktualisht shteti i Kosovës, me synim dukshëm të qartë e dashamirës Tuajin, do të dëshiroja të veçoja për t’i prezantuar para Jush tri çështje:
1- Kosova po përmbush me vendosmëri angazhimet e veta të deklaruara botërisht për zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Presidentit Ahtisaari. Parlamenti ynë ka qenë promotor dhe insistues për shndërrimin në ligje të kërkesave të këtij Plani dhe për mishërimin e tij tërësor në Kushtetutën tonë. Kuvendi i Kosovës, ka aprovuar Ligjin për Shpërbërjen e TMK-së dhe Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, po ndjek nga afër zbatimin dhe po ndihmon institucionet përkatëse për të përmbushur obligimet e tyre.
2 - Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka rënë dukshëm numri i incidenteve të motivuara etnikisht. Ky fakt na gëzon të gjithëve, sepse tregon se me pavarësimin e vendit janë ulur tensionet dhe është relaksuar situata. Këtë e vërtetojnë jo vetëm statistikat, por edhe prania e minoriteteve nëpër institucionet e Kosovës. Në këtë kuadër dëshiroj të vë në dukje dhe të falënderoj edhe kolegun tim serb të Kosovës, z. Petroviç që është këtu me mua. Në Kosovë nuk ka kthim të bujshëm të minoriteteve, por nuk ka edhe largim. Përveç kornizës ligjore, Kosova ka vendosur në veprim një numër të programeve në favor të minoriteteve. Ndër këto masa do të veçoja dy:
a. Inaugurimin e një projekti për ndërtimin e një vendbanimi për 6000 të kthyer në Prishtinë, që do t’u mundësojë të gjithë atyre që duan të kthehen në Kosovë të jetojnë dhe të punojnë në kryeqytetin e Kosovës.
b. Ruajtjen e identitetit kulturor dhe fetar të pakicave etnike. Në këtë kuadër kishës ortodokse në Kosovë përveç tjerash, i është ofruar trajtim i posaçëm në dogana, me ligjin e Doganave, që është miratuar këtë javë.
3 - Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Ne kemi mirëpritur ardhjen e Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe shtrirjen e EULEX-it. Ne jemi të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me KFOR-in dhe BE-në. Por, gjërat vazhdojnë ende te zvarriten dhe kjo na krijon probleme serioze në tërë rajonin. Serbia është kritikuar ashpër nga institucione te ndryshme, së fundi edhe nga Parlamenti Evropian, që nuk po e mbyll kapitullin e së kaluarës dhe të hapë rrugë për integrime të plota evropiane, por vazhdon të mbajë peng ende pakicën e saj serbe në Kosovë, dhe Kosovën me politika të mbrapshta. Si rrjedhojë e këtyre politikave në Kosovë kemi probleme me ndërtimin e sigurisë në veri të vendit, atje po lulëzojnë kriminaliteti dhe trafiqet, që pastaj shtrihen në Kosovë, Serbi dhe në gjithë rajonin, duke penguar kështu sigurinë dhe integrimet që ne të gjithë po i synojmë.
Për shkak të këtyre politikave, është penguar edhe rikonfigurimi i UNMIK-ut dhe shtrirja e EULEX-it. Instancat më të larta shtetërore të Serbisë kanë penguar me të gjitha rrugët dhe mjetet shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës.
Në sesionin tuaj në maj, i kam ofruar dorën e bashkëpunimit Serbisë për të zgjidhur një numër çështjesh mes nesh, dhe tani do të shfrytëzoj këtë rast që të konkretizoj ofertën dhe të ftoj deputetët e Kuvendit serb për një vizitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të shohin vetë zhvillimet në terren.
Në Kosovë, të bindur në forcën dhe vendosmërinë e demokracive euroatlantike dhe të NATO-s kemi pritur dhe besojmë në kalimin e kompetencave nga UMNIK-u tek EULEX-i dhe shtrirjen e këtij Misioni në të gjithë territorin e Kosovës. Por, njoftimi i fundit i përcjellë nga mediat, për rënien dakord të BE-së me kushtet e Serbisë për EULEX-in, veçanërisht për të mos iu referuar Planit Ahtisaari, ka krijuar shqetësim në mbarë opinionin shqiptar në Kosovë.
I jemi mirënjohës Komunitetit Ndërkombëtar dhe në veçanti NATO-s për ndihmën e dhënë dhe vëmendjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. U jemi mirënjohës të gjitha shteteve, që kanë njohur shtetin e Kosovës dhe do vazhdojnë me përkushtim të punojnë për të bindur edhe vendet tjera që pavarësia e Kosovës ka qenë një domosdoshmëri.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Kosova, por edhe mbarë rajoni i Ballkanit po kalojnë një fazë historike. Siguria, pas më shumë se një dekade plot me vështirësi, sa po vjen e forcohet. Drita e gjelbër për anëtarësim të plotë në NATO për Kroacinë dhe Shqipërinë na rrit shpresat edhe ne të tjerëve në rajon, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjës për t’ju bashkuar NATO-s në të ardhmen. Me këtë rast ju lus për mbështetjen si deputetë të parlamenteve të vendeve të NATO-s, për zhvillimin e planit për integrim sa më të shpejtë të Kosovës në NATO, përderisa ne punojmë për të njëjtin qëllim drejt BE-së.
Ju faleminderit!
Xhavit Haliti Anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
Valencia, 15 nëntor 2008