Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

, 17.11.2008




Një delegacion i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, në përbërje të cilit janë edhe Naim Maloku e Sllobodan Petroviq, me ftesë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, janë duke marrë pjesë në punimet e sesionit vjetor të 54-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, e cila po mbahet në Valencia të Spanjës.

Është kjo hera e katërt që Kuvendi i Kosovës merr fjalën në punimet e Komisionit për Dimensionin Civil të Sigurisë. Udhëheqësi i delegacionit z. Xhavit Haliti, me këtë rast , i njoftoi të pranishmit me hapat që ka marrë Kosova për përmbushjen “me vendosmëri të angazhimeve të veta të deklaruara botërisht për zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari” dhe punën që ka bërë Kuvendi i Kosovës për “shndërrimin në ligje të kërkesave të këtij Plani dhe për mishërimin e tij tërësor në Kushtetutë”.

Pas fjalës së mbajtur nga zoti Haliti, delegacioni nga Serbia protestoi tek kryesuesi për shkak të lejimit të fjalimit! Kryesuesi i Komisionit të Dimensionit Civil të Sigurisë Michael Clapham, nga Mbretëria e Bashkuar, lexoi rregulloren ku ceket e drejta e tij për lejimin e fjalës.

Në mbledhjen e Komisionit për Dimensionin Civil të Sigurisë u aprovua edhe raporti “Kosova dhe e ardhmja e sigurisë në Ballkan”, i hartuar nga raportuesi Vitalino Cannas nga Portugalia.

Raportuesi kishte përgatitur edhe një projektrezolutë për Kosovën, e cila u aprovua nga Komisioni me disa amendamente. Delegacioni nga Parlamenti serb kishte propozuar heqjen e pikës që ripohonte se “Kosova është rast i veçantë, i cili nuk mund të përdoret si precedent për zgjidhjen e konflikteve tjera territoriale”, propozim i cili u hodh poshtë nga delegatët. Edhe propozimi tjetër serb që të hiqet “shqetësimi për mosfunksionimin e institucioneve në veri të lumit Ibër” është hedhur poshtë në këtë Komision.

Versioni përfundimtar i draft rezolutës “ Në rrugën e mbarë drejt Kosovës” pritet të votohet në seancën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që do të mbahet të martën.

Z. Haliti kërkoi mbështetjen deputetëve të parlamenteve të vendeve të NATO-s, për sendërtimin e planit për një integrim sa më të shpejtë të Kosovës në NATO. Gjatë takimeve bilaterale me deputetë të vendeve të ndryshme, ai theksoi se Kosova është dhe do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti në Rajon.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës  merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s