Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 18.11.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 27 nëntor, si dhe e ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Në fillim të seancës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDD-së, do të paraqitet në interpelancë ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, kurse në vazhdim Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës.

Më pastaj do të procedohet me ligjet. Do të rishikohen Projektligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, si dhe Projektligji për tubimet publike. Do të shqyrtohet, ndërkaq, për herë të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2004/48 për administratën tatimore dhe procedurat.

Pasi e ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit lidhur me heqjen e statusit të deputetit Sabit Rrahmani, Kryesia ka vendosur që çështjen t’ia paraqesë seancës për votim.

Kryesia e ka shqyrtuar edhe çështjen e procedimit të mëtejmë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke e autorizuar Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi dhe atë për të Drejtat e Njeriut që të krijojnë një grup të përbashkët për anketimin e kandidatëve dhe t’ia rekomandojë Kuvendit tre kandidatë për postin e Avokatit të Popullit.

Duke e shqyrtuar tekstin e Projekt-Rezolutës kundër krimeve të komunizmit në Kosovë prej viti 1945 deri më 1999, Kryesi ka vlerësuar se ajo mund të ketë implikime buxhetore, prandaj ka vendosur që para se ta radhisë për seancë plenare, atë ta shqyrtojë edhe Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Kryesia ka kërkuar nga administrata e Kuvendit që deputetëve t’u shpërndahet për njoftim rekomandimi i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri lidhur me procesin e shpërbërjes së Trupave të Mbrojtjes së Kosovës.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar se për shkak të udhëtimit zyrtar të kryeministrit Thaçi jashtë vendit, seanca e paraparë për 21 nëntor për shqyrtimin e Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2009, shtyhet për datën 25 nëntor.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit