Lajmet e fundit

Në Kuvend u nënshkrua peticioni “Thuaj jo dhunës ndaj gruas!”

, 19.11.2008




Në vigjilje të 25 Nëntorit, Ditës Botërore Kundër Dhunës ndaj Gruas dhe në përgjigje të fushatës së UNIFEM-it, të inicuar nga Ambasadorja e vullnetit të mirë, aktorja e njohur, Nicole Kidman, sot në Kuvendin e Kosovës është nënshkruar peticionin nën thirrjen globale “Thuaj jo dhunës ndaj gruas!”.

Në ceremoninë e nënshkrimit, pos kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, marrin pjesë edhe z. Frode Mauring, koordinator për zhvillim i Kombeve të Bashkuara, ministrja e Energjetikës, Justina Pula- Shiroka, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti e të tjerë.

Kryeparlamentari Krasniqi, pas nënshkrimit të peticionit u ka deklaruar medieve se me këtë nënshkrim ne duam të jemi pjesë e fushatës sa fisnike aq edhe të suksesshme, duke iu bashkëngjitur kështu radhëve të gjata të nënshkruesve të shumë personaliteteve të vendeve të ndryshme dhe të individëve kudo në botë. “Ne presim që jehona e kësaj thirrjeje të arrijë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për të reflektuar në arsyen dhe në ndërgjegjen e shoqërisë njerëzore, për një botë më të mirë e më të drejtë, si shtëpi e njerëzve të barabartë”, ka apeluar kreu i Kuvendit.

Ministrja Pula ka bërë ftesë që ky peticion aq human dhe fisnik peticioni të nënshkruhet nga sa më shumë kosovarë, sidomos nga parlamentarët dhe qeveritarët e Kosovës.

“Secili prej nesh mund ta ketë afër dikë që përjeton dhunë, prandaj ndihmojini ata që preken nga dhuna!”, ka apeluar Mauring.
Në Kuvend u nënshkrua peticioni “Thuaj jo dhunës ndaj gruas!”