Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media

, 19.11.2008




Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, në mbledhjen e tij të sotme, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, z. Esat Brajshori, pikë kryesore e rendit të ditës kishte Raportin e ministrit të Ministrisë së Shërbimeve Publike lidhur me reformimin e Administratës Publike në Kosovë.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shërbimeve Publike, me në krye ministrin, Arsim Bajrami.

Në fillim të fjalës së tij lidhur me reformimin e Administratës Publike në Kosovë, ministri Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të mbajtur kohë më parë, ka marrë vendim që të fillojë procedurën rreth reformimit të Administratës Publike në Kosovë, që do të duhej të realizohej në disa faza. Pas reformave, Ministria e Shërbimeve Publike do të duhej të shndërrohej në Ministri të Administratës Publike, që në formën e re do të lirohej nga politizimi i kuadrove, nga jo profesionalizmi i disa zyrtarëve, si dhe nga korrupsioni dhe nepotizmi i disa shefave dhe zyrtarëve. Ministri Bajrami theksoi që, tash për tash, në administratën e Kosovës punojnë gjithsej 75.000 zyrtarë, e që, sipas të gjithë treguesve, ky numër është mjaft i madh për një shtet relativisht të vogël çfarë është Kosova.

Në vazhdim, ministri Bajrami theksoi që, sa i përket reformimit të administratës në Kosovë, është marrë modeli nga Sllovenia dhe Estonia, të cilat kanë numër përafërsisht të njëjtë banorësh sikurse edhe Kosova, por që në administratë kanë shumë më pak zyrtarë të punësuar. Gjatë disa muajve të fundit, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të administratës ka qenë për specializim në Slloveni dhe në Estoni, me ç’rast, para se gjithash, janë specializuar në fushën e informatikës teknike. Këto kuadro të specializuara, para së gjithash, do të ndihmojnë që administrata e tanishme klasike e Kosovës të shndërrohet sa më parë në një administratë moderne, e cila do t’i ofrojë shërbimet e saj në mënyrën sa më të mirë, më të thjeshtë dhe më të shpejtë, përmes stabilimenteve elektronike.

Në fund të fjalës së tij, ministri Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës një vëmendje të veçantë do t’i kushtojë përgatitjes së Projektligjit për Qeverinë, për Pagat, për Shërbimin Civil dhe për Administratën Publike. Njëherësh, Qeveria e Kosovës do t’i kushtojë vëmendje të veçantë realizimit të programit të administratës elektronike në mbarë Kosovën, që do të jetë në të mirën e tërë shoqërisë.
Nga mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media