Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 20.11.2008




Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ministrat: Vehapi, Shala, Yağcılar, Bajrami, Rashiq, Pajaziti dhe Gashi, u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim deputetët janë marrë me shqyrtimin e projektligjeve dhe miratimin e amendamenteve për to. Është shqyrtuar për herë të parë Projektligji për mbrojtje nga rrezatimi jojonizues, jonizues dhe siguria nukleare, të cilin e ka prezantuar ministri i Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor, Mahir Yağcılar. Janë miratuar, ndërkaq Rekomandimet për amendamentimin e Ligjit për ngrohjen qendrore, nr. 03/L-049, si dhe ato për amendamentimin e Ligjit për procedurën jokontesimore, nr.03/L-007, dhe të Ligjit për avokatinë, nr. 02/L- 040, të cilat i ka prezantuar kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni.

Për herë të dytë deputetët kanë shqyrtuar Projektligjin për Inspeksionin Bujqësor dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akreditim.

Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 02/L-74 për revizionin e brendshëm, para deputetëve e ka prezantuar Armend Zemaj, kurse arsyetimin për të e ka paraqitur kryetari i Komisionit, Gani Koci.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka mbështetur këtë raport dhe është zotuar se Qeveria e Kosovës do ta ketë angazhim të përhershëm çështjen e zbatimit të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Raportin lidhur më gjendjen mjedisore për periudhën 2006-2007, e ka prezantuar, ndërkaq, kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltar, Zhvillim Rural dhe Planifikim Hapësinor, Lulzim Zeneli, pas të cilit ka pasuar një debat i gjerë i deputetëve.

Në fund të debatit e ka marrë fjalën ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Yağcılar, i cili ka kërkuar përgjegjësi të gjithanshme për ruajtjen e mjedisit. Raporti është miratuar me shumicë votash.

Pasi që zëvendëskryeministri, Kuçi, e ka njoftuar seancën se Qeveria është marrë vesh me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, z Hashim Rexhepi, për të raportuar para Kuvendit për gjendjen në Trustin Pensional të Kosovës, është shtyrë për seancën e ardhshme debati për këtë pikë, siç është shtyrë edhe Shqyrtimi i Rekomandimit Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me propozimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës.

Nga punimet e seancës plenare