Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi bashkë me anëtarët e Kryesisë pritën kryeministrin e Estonisë, mr. Andrus Ansip

, 24.11.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Republikws së Kosovës , pritën sot një delegacion të Estonisë, të prirë nga kryeministri, Andrus Ansip. Kryeparlamentari Krasniqi në fillim përshëndeti kryeministrin estonez për ketë vizitë, duke shprehur mirënjohje të thellë për shtetin estonez për njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës dhe për gjithë atë që ka bërë e bën për zhvillimin e proceseve shoqërore, politike e ekonomike në Kosovë. Në vijim kryeparlamentari Krasniqi foli për zhvillimet e deritashme në Kosovës, sidomos që nga 17 shkurti, aprovimi i Kushtetuës dhe i simboleve kombëtare. Duke dhënë një pasqyrë të punës së Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi, theksoi se në këtë periudhë janë aprovuar 42 ligje nga Pakoja e Ahtisarit, të cilat mundësojnë akomodim të minoriteteve. Me Kushtetutën dhe ligjet e aprovuara krijohen mundësi për gëzimin e të gjitha të drejtave nga ana e të gjitha komuniteteve, duke pasur parasysh posaçërisht komunitetin serb. Gjithnjë e më shumë po zgjerohet bashkëpunimi i shumicës me pakicat, me disa pengesa me komunitetin serb,sidomos në veri të vendit, për shkak të instrumentalizimit të serbëve nga ana e politikës së Beogradit. Kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova në këtë fazë tranzicioni dhe më tej ka nevojë për një bashkëpunim edhe më të gjerë me Estoninë, sepse përvoja e këtij shteti për Kosovën është shumë e çmuar, si në lëmin ligjor, ashtu edhe në fushën e sigurisë dhe të ekonomisë.

Estonia dhe Kosova kanë ngjashmëri gjatë historisë, tha kryeministri Andrus Ansip. Estonezët e dinë mirë se sa të çmuara janë liria dhe pavarësia. Shih për këtë Estonia tregoi mbështetjen e saj për Kosovën drejt zhvillimit demokratik të saj dhe ky ishte obligim moral yni. Në këtë frymë ju mund të llogarisni gjithmonë në ndihmën e Estonisë, në ecjen e mëtejme, theksoi Ansip. Ai në vijim u shpreh se ndihet i befasuar për faktin që Parlamenti i Kosovës është kaq i suksesshëm. Gjithë kjo është një rrëfim i suksesshëm, por kjo është vetëm fillimi.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Estonisë dhe Kosovës , kryeministri Ansip tha se raportet në mes nesh janë të mira, por ka vend për zhvillime edhe më të hovshme, madje edhe në sferën ekonomike. Pres me padurim që të kemi bashkëpunim edhe më të gjerë, tha z. Ansip. Ai pastaj foli edhe për kontributin ushtarëve estonez në kuadër të KOR-it në Kosovë, duke shprehur qëndrimin se do të vijë koha që ushtarët estonez të kthehen në vendin e tyre, atëherë kur Kosova do të krijojë një stabilitet të qëndrueshëm. Tani është e nevojshme të krijohet një atmosferë për të tërhequr investimet nga jashtë, është fjala për investime direkte. Por, për të arritur këtë duhet të ketë stabilitet, energji etj.

Në diskutimin e tij Slobodan Petroviq foli për kontributin e subjektit të SLS-së, për zhvillimet në Kosovë. Nga kjo parti në Qeverinë e Kosovws janë dy ministra. Kemi bërë shumë për qytetarët serbë, por këtë nuk e kemi arritur vetë. Në vijim ai kërkoi që shteti estonez të angazhohet edhe më shumë për të dhënë kontribut për zhvillim më të shpejtuar të Kosovës, për t’ iu ngjallur qytetarëve shpresë për jetesë. Duke u ndërlidhur me këtë diskutim, z. Ansip tha se liria është vetëm bazë për të krijuar një shoqëri dhe ekonomi të shëndoshë. Është e nevojshme t’ ju tregojmë njerëzve se ky shtet është i të gjithë qytetarëve. Tash është fituar pavarësia , por duhet të përveshim llërat për të punuar. Lufta ka marrë fund, por vështirësitë jo,tani është koha që të punojmë në Kosovë, posaçërisht në mëkëmbjen ekonomike. Kosova dhe Estonia do të jenë së bashku në NATO dhe në BE, por jo që nesër , theksoi z. Ansip. Për kontributin e madh që po jep Estonia në zhvillimet e gjithëmbarshme të Kosovës u falënderua edhe Ibrahim Gashi, ndërsa ftesën e bërë për të vizituar kryeministri Thaçi Estoninë, ai e quajti një tjetër kontribut që jep Estonia për t’ u afruar e për të ndihmuar Kosovën. Xhavit Haliti shprehu dëshirën që në vizita të këtilla të ketë edhe biznismenë, sepse tregu i Kosovës është shumë i përshtatshëm për investimet estoneze. Edhe shkollimi i studentëve kosovarë në një numër edhe më të madh në universitetet estoneze, të cilat kanë një traditë të gjatë, do të ishte me interes. Studentët që do të kryejnë studimet në Estoni do të jenë një ndihmë e madhe për zhvillimin e Kosovës, theksoi Haliti.
Kryeparlamentari Krasniqi bashkë me anëtarët e Kryesisë pritën kryeministrin e Estonisë,  mr. Andrus Ansip