Lajmet e fundit

Deklarata e kryeministrit Thaçi në Kuvend për planin gjashtë pikësh

, 25.11.2008




Para fillimit të seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës , në të cilën do të shqyrtohej projekt Buxheti i Kosovës për vitin 2009, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një deklaratë para deputetëve lidhur planin gjashtë pikësh të Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, Ban Ki Moon, si më poshtë:

Lidhur me planin 6 pikësh të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i cili pritet të përfshihet në raportin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do t’ia paraqes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më lejoni të ritheksojë edhe një herë se:

1. Statusi i Kosovës është i zgjidhur dhe kjo çështje është e mbyllur. Kosova që nga 17 shkurti 2008 është shtet i pavarur dhe sovran dhe i tillë do të jetë përgjithmonë.

2. EULEX do të vendoset në Kosovë ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës dhe Plani i Ahtisarit. UNMIK-u nuk do të ketë asnjë rol ekzekutiv por vetëm lehtësues për vendosjen e EULEX-it. Çdo tendencë tjetër, konsiderohet si shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe si dhunim i sovranitetit tonë shtetëror. Rezoluta 1244 e OKB-së është plotësisht jo relevante dhe e pakuptimtë në shtetin tonë sovran. Si e tillë institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë obligim juridik që të njëjtën ta marrin në konsideratë.

3. Të gjitha fushat për të cilat flet plani gjashtë pikësh i OKB-së, siç janë drejtësia, policia, kufijtë,doganat, trashëgimia serbe, transporti dhe infrastruktura,... janë të rregulluara me ligjet tona përkatëse të cilat janë miratuar nga Parlamenti i Kosovës dhe të cilat janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Çdo plan tjetër, çdo dokument tjetër e aq më tepër ndonjë raport qoftë ai edhe nga OKB-ja është i paligjshëm dhe i pazbatueshëm.

4. Kosova ka paraqitur 4 pikat e saj që në fakt vetëm paraqet qëndrimin tonë zyrtar në raport me 6 pikat e propozuara. Kosova e ka Kushtetutën e saj moderne dhe ligjet e saja moderne të cilat i rregullojnë të gjitha çështjet e ngritura në planin 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

5. Prandaj, është Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e miratuara nga Parlamenti i Kosovës që unë si Kryeministër i Kosovës do t’iu përmbahem dhe do t’i zbatoj në praktikë dhe asgjë tjetër. Ky është plani ynë, ky është vizioni ynë.

6. Çfarëdo plani apo raporti që mund të përpilohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pa miratimin zyrtar të Republikës së Kosovës, do të jetë plotësisht i papranueshëm dhe i pa zbatueshëm në territorin e shtetit tonë.