Lajmet e fundit

Kuvendi shqyrtoi Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009

, 25.11.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit deputetët kanë shqyrtuar Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009.

Duke e paraqitur Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009, kryeministri Hashim Thaçi është shprehur se ndjehet i nderuar që sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës paraqet buxhetin e parë të Kosovës si shtet i lirë, demokratik, shtet modern, i pavarur dhe sovran.

Ai ka pohuar se Buxheti i vitit 2009, është më i larti në historinë e Kosovës, madje ai shënon rritje mbi 15% në krahasim me buxhetin e vitit 2008. Me këtë buxhet, ka theksuar kryeministri, pushteti lokal është stimuluar, me rritje të qindpërqindtë, sa i përket grantit të Përgjithshëm që reflekton në ngritjen e shpenzimeve kapitale-aty ku përfitojnë më së shumti qytetarët.

Ai në vazhdim është shprehur se me këtë buxhet të propozuar do të rriten pensionet, të ardhurat e shërbyesve civilë, si dhe pensionet, kurse familjet tona do të gëzojnë përfitimet prej shkollave të reja dhe spitaleve të renovuara e moderne.

Ky plan është i mirë për kushtet, rrethanat dhe mundësitë e shtetit tonë të ri, ka thënë Thaçi. Ai tutje ka spikatur se Kosova ka resurse të mëdha – fuqi punëtore të re dhe të gjallë, pasuri të rëndësishme minerare, dhe lokacioni që premton rritje të lartë ekonomike.

Si pjesë e këtij buxheti për vitin 2009, Kosova do të shpenzojë 1 miliard e 430 milionë euro në investime kapitale, programe të arsimit, shëndetësore, shërbime sociale dhe programe tjera për qytetarët tanë, ka thënë Thaçi, duke shtuar se do të shpenzojmë më shumë se 100 milionë euro në rrugë. Kjo përfshinë 53 milionë euro për renovimin e rrugëve të vjetra dhe të rrezikshme, të cilat janë korridore të rëndësishme transportuese që e mbajnë ekonominë tonë në lëvizje: do të vazhdohet ndërtimi i rrugës Prishtinë-Kaçanik që na lidhë me Shkupin, dhe më shumë se 25 milionë euro për Autorrugën Prishtinë-Pejë rreth 2o km të reja, mbi 25 milion për Autorrugën Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë 20 km të reja. 12 milionë tjera do të përdoren për mirëmbajtje dhe ndërtim urash në tërë vendin.

Dhe do të investojmë më shumë se 30 milionë euro në ndërtimin e rrugëve të reja që do t’i sjellin vitalitet ekonomik rajoneve me infrastrukturë të kufizuar transportuese. Në vitin e ardhshëm do të ndërtojmë apo renovojmë 54 shkolla fillore dhe të mesme në tërë vendin, si dhe kompjuterizimin – informatizimin e të gjitha shkollave në Kosovë, ka premtuar kryeministri.

Duhet të ruhemi sot nga programet e kushtueshme që u ofrojnë përfitime afatshkurta grupeve individuale, por që i shkaktojnë dëme të pariparueshme financave tona shtetërore dhe pengojnë rritjen tonë ekonomike, ka tërhequr vëmendjen Thaçi.

Pasi ka theksuar shkurtimet buxhetore për financimin e institucioneve qendrore të Kosovës, është zotuar se ai dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë do të punojnë më shumë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ju konfirmoj se pas pak kohë, Kosova, meritueshëm do të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare”, ka deklaruar kryeministri Thaçi para deputetëve, duke shtuar se ndryshimet më të mëdha do t’i shohim në sektorin e energjisë me dhënien e projektit për termocentralin Kosova e Re dhe privatizimin e pjesës së KEK-ut, që merret me distribuim dhe furnizim.

Thaçi ka folur edhe për politikat fiskale në kontekst të buxhetit, për investimet për funksionalizimin e Planit të Ahtisarit dhe akomodimin dhe integrimin e minoriteteve në Kosovës, si dhe i ka ftuar deputetët që ta përkrahin këtë Projektbuxhet për vitin 2009.

Në vazhdim të seancës ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka prezantuar zëra të veçantë të Buxhetit të propozuar dhe ka folur për metodologjinë e hartimit të tij. Gjatë punës së madhe për hartimin e këtij projektbuxheti prej mbi një miliard e katër qind milion e tridhjetë milionë euro, jemi konsultuar edhe me ekspertë të Fondit Monetar ndërkombëtar, ka thënë Shala. Buxheti i propozuar, ka thënë ai kemi pasur gjithnjë parasysh Kornizën afatmesme të shpenzimeve, të miratuar në korrik të këtij viti, si dhe kredibilitetin financiar. Kjo paraqet 35 për qind të brutoproduktit kombëtar, ka theksuar ministri. Me këtë buxhet duhet të gjenerojmë rritje ekonomike. Duhet të krijojmë mjedis, ku sektori privat do të mund të rrisë aktivitetin e tij dhe të krijojë më shumë vende pune. Në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm për kërkesat e punonjësve për rroga më të larta për punën që bëjnë. Duhet të kemi parasysh edhe kujdesin për pjesën e popullatës, e cila është në pozitë jo të mirë sociale, ka theksuar Shala.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave ka pohuar se të hyrat e rregullta buxhetore llogariten të jenë 956 milion euro, ose tetë për qind më shumë se vitin 2008. Në buxhet për vitin ardhshëm është përfshirë edhe krijimi i një rezerve stabiliteti prej 200 milionë eurosh. 103 milionë euro janë dedikuar për infrastrukturën rrugore, 38 milionë për sektorin e arsimit, kurse 95 milionë për sektorin e energjisë.

Në vazhdim në Kuvend është zhvilluar një debat i gjerë parlamentar për Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009. Derisa kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Gani Koci, por edhe deputetë të tjerë nga radhët Grupit Parlamentar të PDK-së, e të grupeve të tjera nga koalicioni qeverisës e kanë lavdëruar punën e Qeverisë për përgatitjen e një projektbuxheti të mirë, i cili, siç janë shprehur ata do të gjenerojë zhvillim të mirë ekonomik të Kosovës dhe do të sigurojë disiplinë fiskale të subjekteve, shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët nga radhët e grupeve parlamentare në opozitë kanë pasur kritika të rënda për buxhetin e propozuar, sidomos për zëra të veçantë të tij. Deputeti Haki Shatri, i cili ka folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, megjithëse është shprehur se e përkrah në parim, është shprehur se do të angazhohet shumë seriozisht për ndryshime dhe plotësime të Projektbuxhetit deri në miratimin përfundimtar të tij.

Në përfundim të debatit kryeministri Thaçi edhe një herë u është drejtuar deputetëve, duke i falënderuar për vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet që kanë bërë për Projektbuxhetin, si dhe i ka garantuar ata se Qeveria do t’i merr shumë seriozisht vërejtjet e bëra.

Deputetët me shumicë votash e kanë miratuar në parim Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009.

Komisioni për Buxhet dhe Financa është ngarkuar t’i përgatisë rekomandimet për amendamentimin e këtij projektbuxheti para miratimit përfundimtar të tij.
Kuvendi shqyrtoi Projektbuxhetin e  Kosovës për vitin 2009