Lajmet e fundit

U Inauguruan monitorët e sistemit për informim publik në Kuvendin e Kosovës

, 26.11.2008




Sot në Kuvendin e Kosovës, në prezencë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, z. Ramë Buja, përfaqësuesve të administratës së Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të medieve elektronike e të shkruara, u bë inaugurimi solemn i 12 monitorëve të sistemit për informim publik në Kuvendin e Kosovës.

Shiritin e inaugurimit solemn e prenë kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi dhe zëvendësi i misionit të OSBE-së në Kosovë z. Marku Lammanen.

Këta monitorë do të kontribuojnë si në transparencën e punës së Kuvendit të Kosovës, poashtu në informimin edhe më të mirë të deputetëve, pjesëtarëve të shoqërive civile, medieve dhe njëherit edhe të gjithë të pranishmëve në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, për punën e gjithëmbarshme të Kuvendit theksoi i pari i Kuvendit të Kosovës z. Krasniqi në fjalën e tij solemne. Duke i shprehur falënderim OSBE-së për ndihmën rreth instalimit të këtyre monitorëve të sistemit për informim publik në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Kuvendit, Krasniqi, tha se ky është edhe një aspekt i bashkëpunimit të gjithanshëm në mes të Kuvendit të Kosovës dhe misionit të OSBE-së në Kosovë.

Zëvendësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Marku Lammanen, në fjalën e tij përveç tjerash përkujtoi se OSBE sikur shumë herë deri më tani, edhe kësaj radhe i ndihmoi Kuvendit të Kosovës në instalimin e sistemit për informim publik si në aspektin teknik gjithashtu edhe në atë financiar.

Në fund duhet theksuar se sistemi për informim publik në Kuvendin e Kosovës ka kushtuar gjithsej 50.000 Euro dhe se OSBE ka financuar me gjithsej 48.000 Euro, kurse Kuvendi i Kosovës ka marrë pjesë me 2.000 Euro.
U Inauguruan monitorët e sistemit për informim publik në Kuvendin e Kosovës