Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtoreshën e USAID–it, znj. Patricia Rader

, 26.11.2008




Thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe USAID-it, ishte temë thelbësore e takimit të sotëm, me karakter njoftimi, të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, me drejtoreshën e USAID–it në Prishtinë, znj. Patricia Rader. Në prononcimin para medieve lidhur me këtë takim , kryeparlamentari Krasniqi theksoi se me këtë rast treguam gatishmëri për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, sidomos në fushën e legjislacionit. USAID-i dhe NDI-a gjithnjë gjatë këtyre viteve kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë Kosovën në shumë lëmenj. Kosova gëzon ndihmën e USAID-it edhe në infrastrukturën ekonomike. Vendi ynë ka nevojë për këtë bashkëpunim, ndaj edhe do të vazhdojnë këto ecuri. Në këtë frymë drejtuesit e USAID-t, gjithnjë janë të mirëpritur në Kuvend, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Znj. Patricia Rader shprehu kënaqësinë për zhvillimin e këtij bashkëpunimi ndërmjet USAID-it dhe Kuvendit të Kosovës, përkatësisht për këtë mbështetje që po i jepet Kuvendit. Në vijim ajo theksoi se sa më i fuqishëm që të jetë legjislacioni, aq më e fuqishme do të jetë demokracia. Këto ditë USAID-i është angazhuar të hapë zyra komunikimi në Prishtinë dhe në Graçanicë, për të vendosur kontakte më të afërta me qytetarë, pra që të dalin deputetët në terren dhe të shohin se çka mendojnë qytetarët.

Në pyetjen se pse u shty seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte paraparë të mbahej më 27 nëntor dhe se a ka kjo ndonjë lidhje me zhvillimet politike që zhvillohen aktualisht, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se kërkesa për shtyrje të seancës së Kuvendit ka ardhur me kërkesë të grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa edhe shefi i Grupit parlamentar të AKR-së, ka paralajmëruar se do të nënshkruajë këtë kërkesë. Seanca do të mbahet më 4 dhjetor dhe nuk është shtyrë për shkak të proceseve që zhvillohen.
Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtoreshën e USAID–it, znj. Patricia Rader