Lajmet e fundit
Kryeparlamntari Krasniqi priti kryetarin e PS-së, Edi Rama
, 28.11.2008
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, i cili shoqërohej nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie, Pandeli Majko dhe Shpëtim Idrizi, njëherësh deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Pasi kanë këmbyer urimet për 28 Nëntorin, festën e shumëfishtë kombëtare, që i lidh shqiptarët kudo që janë dhe kanë shprehur kënaqësinë që për këtë festë të madhe janë së bashku, Krasniqi dhe Rama kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, sidomos për sa i përket kontekstit ndërkombëtar që i parapriu vendimit për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Ata kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shumë lëmenj të jetës, që është interes i përbashkët i qytetarëve të dy vendeve tona.
Kryeparlamentari Krasniqi, ka folur për punën e madhe që ka bërë Kuvendi, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, përfshirë miratimin e Kushtetutës dhe të simboleve shtetërore të Kosovës, miratimin e mbi 40 ligjeve që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit, si dhe të dhjetëra ligjeve të tjera sistemore. Ai është shprehur se institucionet e vendit kanë mbështetjen e fuqishme të qytetarëve të Kosovës për ta ndërtuar shtetin demokratik të Kosovës, me të drejta të garantuara për gjithë qytetarët e saj.
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi për mbështetjen e gjithë institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike të Shqipërisë për ecjen e mbarë të Kosovës në rrugën e zhvillimit edhe të afirmimit pozitiv ndërkombëtar. I gjithë populli i Shqipërisë gjakon me shqetësimet e popullit të Kosovës, e ka garantuar kreu i socialistëve të Shqipërisë, kreun e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka dhuruar z. Rama një kopje të Deklaratës së Pavarësisë, në sfond të së cilës spikat figura grafike e më të merituarit për pavarësinë e Kosovës, Adem Jashari.