Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 02.12.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin ftuar të merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e radhës të mbahen më 11 dhjetor, si dhe e ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Në fillim të seancës kryeministri Thaçi parashihet të paraqesë interpelancë lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për progresin në Kosovë (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së), kurse më pastaj Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim do të procedohet me miratimin e projektligjeve. Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ai për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Individuale, si dhe ai për Normën e Akcizës në Kosovë.

Për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për faljet, si dhe do të rishqyrtohet Ligji për rrugët 03/L-120.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Projektrregullorja e Kuvendit të Republikës se Kosovës, si dhe Plani i veprimit të legjislativit. Do të zgjidhet, ndërkaq, Bordi i Trustit Pensional të Kosovës.

Do të shqyrtohen gjithashtu edhe rekomandimi i Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri lidhur me vendimin e Qeverisë për fillimin e procedurave të privatizimit të distribuimit dhe furnizimit të KEK-ut. Do të shqyrtohen edhe Raporti i të njëjtit komision lidhur me emërimin e dy anëtareve në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, rekomandimi i Komisionit Ad-Hoc për Media për emërimin e katër anëtareve të Këshillit të Pavarur për Media, si dhe rekomandimi i Komisionit ad Hoc për emërimin e katër zyrtarëve të Këshillit të Pavarur mbikëqyrës të Kosovës.

Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë mbështetur kërkesën e presidentit Sejdiu për rishqyrtim të ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit