Lajmet e fundit

OSBE-ja i dhuroi Kuvendit 500 tituj librash dhe 5 kompjuterë

, 03.12.2008




Bibliotekës së Kuvendit të Kosovës iu dhuruan , sot, 500 tituj librash dhe 5 kompjuterë nga ana e OSBE-së. Me këtë rast në ambientet e Bibliotekës së Kuvendit u organizua një solemnitet rasti, ku mori pjesë drejtoresha e Departamentit për Asistencë të Misionit të OSBE-së , Wilma Theuws, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi me bashkëpunëtorë, deputeti Armend Zemaj etj.

Duke iu drejtuar të pranishmëve , Wilma Theuws theksoi se ndihet e nderuar për këtë ndihmë që i jepet Bibliotekës së Kuvendit të Kosovës, e cila do të ndihmojë deputetët , por edhe qytetarët tjerë në mënyrë indirekte. Nga ana e OSBE-së bëhen shumë angazhime për mbështetjen e Kuvendit, sidomos në ngritjen e institucioneve demokratike dhe të qeverisjes së mirë. Tash është koha të shohim edhe sendërtimin në praktikë të këtyre synimeve, që të shohim kuptimin dhe arsyen pse jemi këtu. Librat dhe kompjuterët që kemi sjellë , bashkë me qasje në internet, ofrojnë mbështetje për deputetët. Një mbështetje të këtillë i japim edhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, por në vijim do të ofrojmë ndihmë edhe në segmentet përkatëse nëpër komuna.

Znj. Wilma Theuws, në vijim falënderoi edhe Sekretarinë e Kuvendit për ndihmën e dhënë për realizimin e këtij projekti, duke premtuar mbështetje të mëtejme edhe në të ardhmen.

Pasi u falënderua për këtë ndihmë nga ana e OSBE-së, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi theksoi se ky rast është dëshmi për mbështetjen në vazhdimësi të OSBE-së ndaj Kuvendit, si në ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit , ashtu edhe në anën teknike.

Biblioteka e Kuvendit hap pas hapi po arrin të zgjerojë veprimtarinë edhe me qasje në internet. Në këtë vështrim ndihmë të madhe për deputetet është edhe mundësia që jepet për shfletimin e literaturës nga ana e deputetëve në kuadër të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare. Ndërkaq, ndihma që ofrohet sot, është edhe një kontribut i rëndësishëm për të begatuar këtë burim të dijes. Këto aktivitete mundësojnë që të marrim përvoja nga të tjerët në shumë lëmenj, theksoi Ismet Krasniqi.

Në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës u falënderua deputeti Armend Zemaj, i cili këtë ndihmë e quajti dhuratë të çmuar. Në këtë mënyrë, tha ai, po shkurtohet udha drejt zgjerimit dhe shpërndarjes së dijes.
OSBE-ja i dhuroi Kuvendit 500 tituj librash dhe 5 kompjuterë