Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti drejtoreshën e përgjithshme të KNPZh-së, Bomberger

, 05.12.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot drejtoreshën e Përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Kathryne Bomberger dhe bisedoi me të për problematikën e personave zë zhdukur dhe të pagjetur.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur për ndihmën e dhënë për identifikimin e një numri të personave të zhdukur. Ai i ka premtuar zonjës Bomberger se Kuvendi në një afat sa më të shkurtë do ta miratojë Ligjin për personat e zhdukur. Krasniqi, ndërkaq, e ka quajtur gati të pamundshëm bashkëpunimin e Kosovës me institucionet e Serbisë për personat e zhdukur, kurse ka vlerësuar se ka munguar madje edhe presioni i UNMIK-ut dhe i BE-së ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të këtyre personave, një numër i të cilëve janë marrë nga organet shtetërore të Serbisë dhe janë zhdukur pa gjurmë si, profesor Ukshin Hoti, Hafir Shala dhe Xhavit Haziri.

Drejtoresha e Përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Kathryne Bomberger, është shprehur çështje e personave të pagjetur pas luftës së fundit në Kosovë, mbetet ndër çështjet më të dhimbshme në rajon. Ajo ka shprehur interesin e saj të bindet se Kosova i ka institucionet dhe do ta ketë legjislacionin e saj sa i përket çështjes së personave të zhdukur, në mënyrë që ta adresojë këtë çështje nëpërmjet Komisionit qeveritar. “Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën për të afërmit e tyre dhe t’i trashëgojnë të gjitha benefitet”, ka theksuar Bomberger, e cila ka pohuar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, që nga viti 1999, kur ka filluar të veprojë, ka identifikuar, nëpërmjet ADN-së, mbi 2100 persona të zhdukur, kurse presin të gjenden dhe të identifikohen edhe 2000 persona të tjerë të zhdukur. Mu për këtë ne mbështesim takimet ndërmjet delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi për personat e pagjetur, ka thënë ajo. “Do të donim të punojmë edhe më me intensitet me Qeverinë e Kosovës, me EULEX-in dhe me organizatën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që t’i gjejmë,t’i identifikojmë dhe t’ kthejmë në Kosovë personat e zhdukur”, është shprehur Bomberger.
Kryeparlamntari Krasniqi priti drejtoreshën e përgjithshme të KNPZh-së, Bomberger