Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 11.12.2008




Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi në emër të deputetëve e ka uruar presidentin Ahtisari për marrjen e çmimit Nobel për paqe, duke i uruar atij shëndet të mirë dhe suksese në jetë.

Më pastaj, zëvendskryeministri Ramë Mnaj dhe disa nga ministrat u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim deputetët kanë shqyrtuar Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, të cilin e ka prezantuar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Pas debatit të gjatë për këtë projektligj, gjatë të cilit shumë nga deputetët (jo vetëm nga radhët e opozitës), kanë mbajtur qëndrim se ngritja e TVSH-së nga 15% në 16%, e dëmton mirëqenien e konsumatorëve, projektligji është miratuar në parim me shumicë votash.

Para se Kryeministri Thaçi të paraqiste interpelancën lidhur me Raportin e Progresit në Kosovës të Komisionit Evropian, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, e ka arsyetuar kërkesën për këtë interpelancë, duke spikatur sidomos zërat negativë për zhvillimet në Kosovë (për periudhën 1 tetor 2007-1 tetor 2008).

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, raportin e progresit në Kosovë e ka vlerësuar real dhe sfidues për të ardhmen, ndërkaq, ai ka theksuar se raporti përfshinë periudhën e shpallje së pavarësisë së Kosovës dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore të vendit. Duke theksuar se Kosova ka hyrë në rrugën e saj të integrimeve evropiane dhe duke pohuar se Qeveria tashmë është e gatshme ta nënshkruaj marrëveshjen e asocim-srabilizimit, Thaçi e ka vlerësuar naive pritjen e ndokujt se raporti do të ishte vetëm lavdërues për të arriturat e Kosovës.

Kryeministri, ndërkaq, ka pikasur vlerësimet pozitive që i bëhen privatizimit në Kosovë (sidomos të shërbimeve të telefonisë mobile , distribuimin e energjisë elektrike, etj), si dhe projekteve për prodhimin e energjisë elektrike. Raportin e sivjetmë, madje, ai e ka vlerësuar shumë më të favorshëm e atë të vitit të shkuar. Megjithatë ai ka pohuar se Qeveria e ka marrë shumë seriozisht raportin e Komisionit Evropian, duke theksuar se ka krijuar komisione të ndryshme për t’i tejkaluar dobësitë e evidencuar në raport, si dhe ka planifikuar të ndërmarrë rreth 1500 veprime të ndryshme konkrete për përmbushur synimet. Ndër sfidat kryesore në këtë plan Thaçi, ndërkaq, ka përmendur sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, rritjen e besimit ndërmjet komuniteteve si dhe transparencën institucionale, përkatësisht qasjen në dokumentet zyrtare.

Në përmbyllje të interpelancës në Kuvend të Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi, lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2008, kryeparkamentari Krasniqi i ka propozuar seancës plenare të nxjerrë këto përfundime, të cilat edhe janë miratuar me shumicë votash të deputetëve:

1. Ngarkohet Komisioni për Integrime Evropiane që ta analizojë Raportin e Progresit dhe të përgatisë një propozim të "Planit të Veprimit të Kuvendit për sfidat e Raportit të Progresit për vitin 2008", i cili do të shqyrtohet dhe miratohet në seancë plenare të Kuvendit.
2. Komisionet e tjera parlamentare të përfshijnë në rendin e ditës të takimeve të tyre të rregullta "Sfidat e Integrimit Evropiane", si pikë të veçantë, në mënyrë që të sigurojnë që "Plani i Veprimit për sfidat e Raportit të Progresit për vitin 2008" të realizohet plotësisht. Komisionet parlamentare i dërgojnë informacionet e tyre rregullisht Komisionit për Integrime Evropiane.
3. Komisioni për Integrime Evropiane, çdo tre muaj do t’i raportojë seancës plenare të Kuvendit për zbatimin e "Planit të Veprimit të Kuvendit për sfidat e Raportit të Progresit për vitin 2008".
4. Obligohet Qeveria e Kosovës dhe ministritë e saj të ofrojnë bashkëpunim dhe informacion të rregullt Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve gjegjëse parlamentare në realizimin e pikave të sipërpërmendura.

Seanca i vazhdon punimet nesër (ditë e premte), në orën 10:00.
Nga punimet e seancës plenare