Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 12.12.2008




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin ftuar të merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare (merrnin pjesë vetëm dy prej tyre), ka vendosur që javën e ardhshme të mbahen katër seanca plenare.

Në seancën e 18 dhjetorit, pasi që Kabineti qeveritar t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, do të shqyrtohen për herë të dytë gjashtë projektligje: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ai për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Individuale, si dhe ai për Normën e Akcizës në Kosovë, kurse në vazhdim do të shqyrtohen edhe Projektligji për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe Projektligji për Presidentin e Republikës së Kosovës. Do të rishqyrtohet, ndërkaq, Ligji për taksën e akomodimit në objektet hoteliere dhe turistike.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Propozimvendimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave Tatimore.

Kryesia ka vendosur që seanca e 19 dhjetorit t’i dedikohet vetëm shqyrtimit të dytë të Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2009.

Pasi që sot kanë mbërritur në Kuvend gjashtë projektligje që burojnë nga Propozimi i Martti Ahtisaarit, të cilat duhet të shqyrtohen sipas procedurës së veçantë, Kryesia ka vendosur që Kuvendi ditën e hënë t’i shqyrtojë për herë të parë: Projektligjin për të huajt, atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetësi, Projektligjin për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Projektligjin për përbërjen e përkohshme të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, atë për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligjin për Shërbimin Konsullor të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

Të njëjtat projektligje në seancën e së martës (më 16 dhjetor), do ta kalojnë edhe shqyrtimin e dytë.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Raportin për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për tremujorin e tretë të vitit 2008, ndërkaq, duke shqyrtuar kërkesën e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi lidhur me procedimin e Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit, si dhe të Projekt-Deklaratës kundër krimeve të komunizmit në Kosovë, Kryesia ka vendosur që para se t’i nxjerrë çështjet në seancë, të takohet me anëtarët e Komisionit për t’i shoshitur rekomandimet.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit