Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit të Kosovës

, 12.12.2008




Vazhdimi i seancës së Kuvendit i Kosovës, e kryesuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, sot filloi punën me shqyrtimin e pakos së projektligjeve që shoqërojnë Projektligjin për buxhet për vitin 2009, përkatësisht Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjit për tatimin në të ardhurat individuale dhe Projektligjit për normën e akcizës në Kosovë. Projektligjet para deputetëve i prezantoi ministri e Ekonomisë dhe Finanacave , Ahmet Shala. Pas debatit, këto projektligje që përcaktojnë norma të reja të tatimit, që si u tha janë në përputhje me normat e shteteve të Rajonit dhe më gjerë, u pwrkrahwn nw parim. Projektligji për faljen, u prezantua nga kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni. Pas debatit deputetët aprovuan këtë Ligj.

Seanca vazhdoi me rishqyrtimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rrugët, të cilin e prezantoi deputeti Zef Morina. Ligjvënësit pas debatit me shumicë votash e aprovuan këtë Ligj.

Në seancë u shqyrtua pastaj Plani i veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilin e paraqiti kryetari i Kuvendit , Jakup Krasniqi. Duke shtruar disa nga objektivat e këtij Plani, z. Krasniqi theksoi se puna e Kuvendit do të përqendrohet në harmonizimin e ligjeve me standardet evropiane,sigurimin e funksionalizimit të mëtejmë të Kuvendit, sendërtimin e rolit mbikëqyrës, mbajtja e kontakteve me zgjedhësit, ngritja e mëtejme e administratës etj.

Ligjvënësit pastaj shqyrtuan për herë parë Projekt-Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën e prezantuan Ahmet Isufi dhe Kolë Berisha, përkatësisht kryetari dhe zëvendëskryetari i Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, e cila pas debatit të gjerë u përkrah në parim.

Në rendin e ditës së seancës pastaj ishte shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave të privatizimit të distribuimit dhe furnizimit të KEK-ut. Në emër të këtij Komisioni këto rekomandime i prezantoi Myzejene Selmani kryetare e Komisionit, e cila në parim iu dha përkrahje këtyre rekomandimeve. Rreth këtyre rekomandimeve u zhvillua debat shumë i gjerë. Theksohej se problemi privatizimit i këtyre dy sektorëve është mjaft i ndërlikuar, ndaj edhe çështja e vendimmarrjes është sfidë e vështirë. Ngriheshin dilema se athua është kjo periudhë e përshtatshme dhe dobiprurëse për të bërë privatizimin. Mbretëroi mendimi se privatizimi në këta dy sektorë të KEK-ut, që do të bëhet sipas procedurave ligjore, është i domosdoshëm, sepse qëllimi është që KEK-u të jetë i vetëqëndrueshëm, të ofrojë energji, të inkasojë borxhet, synime këto që duhet të përkrahen edhe nga shoqëria e gjerë. Ky privatizim, u tha se është hapi i parë, ndërkaq qëndrimet e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion janë identike me ato të Qeverisë. Ligjvënësit pastaj përkrahën këto rekomandime, të cilat do të jenë obligative për Qeverinë e Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës