Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport
, 17.12.2008
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Agim Veliu, kryetar i Komisionit, temë qendrore ishte monitorimi i zbatimit të ligjeve. Në debatin rreth kësaj çështjeje u tha se Komisioni duhet të angazhohet për një monitorim të vazhdueshëm të zbatimit të ligjeve përkatëse nga fushat që mbulon. Vëmendja e Komisionit duhet të përqendrohet në atë se si e sa po zbatohen ligjet në fuqi dhe cilat janë vështirësitë me rastin e zbatimit të tyre. Procesi i monitorimit është e nevojshme të shoqërohet edhe me vizita në institucione të ndryshme, arsimore, shkencore e kulturore. Po kështu, u pa e udhës që të shihen mundësitë edhe për organizimin e ndonjë vizite në shtetet e Rajonit, për të parë praktikat gjatë zbatimit të ligjeve përkatëse. Monitorimi i zbatimit të ligjeve do të jetë ndihmesë edhe me rastin e ndryshimeve që bëhen në procedurë të rregullt të ligjeve, ose të projektligjeve që do të vijnë në procedurë të shqyrtimit dhe aprovimit në Kuvend. Diskutuesit u përqendruan sidomos në monitorimin e Ligjit mbi Arsimin e Lartë, duke ditur se kjo veprimtari ballafaqohet me probleme të ndryshme, e në këtë kuadër u përmend edhe fakti se në radhë është faza e dytë e akreditimit të institucioneve të arsimit superior.