Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 18.12.2008




Megjithëse në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës pati disa propozime të deputetëve për të vënë në rendite çështje, sipas tyre, të ngutshme, kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka drejtuar seancën, nuk i ka quajtur të tilla, prandaj në votim e ka hedhur vetëm propozimin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, për të shtyrë shqyrtimin Projektligjin për Presidentit e Republikës së Kosovës, deri në kohën kur të shqyrtohen Projektligji për të drejtat e deputetëve dhe Projektligji për Kryeministrin. Propozimi ka gjetur mbështetje nga shefat e grupeve parlamentare opozitare, ndërkaq atë e ka kundërshtuar, në emër të Grupit parlamentar të LDK-së, anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, i cili e ka vlerësuar të pakuptimtë shtyrjen në emër të projektligjeve të paqena.

Pas kësaj, kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij, u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim deputetët kanë shqyrtuar Propozimvendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave Tatimore dhe e ka miratuar atë. Kryesues i bordit është emëruar Skender Kolgeci, kurse për anëtarë janë emëruar: Miftar Shala, Ramadan Sejdiu, Ekrem Kastrati, Osman Sadikaj, Luljeta Baraliu dhe Hajrush Beqiri.

Po në këtë seancë janë shqyrtuar për herë të dytë dhe janë miratuar përfundimisht: Projektligji për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, Projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, ai për Tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligji për tatimin në të ardhurat individuale, si dhe ai për Normën e akcizës në Kosovë.

Është rishqyrtuar, ndërkaq, Ligji për taksën e akomodimit në objektet hoteliere dhe turistike.
Nga punimet e seancës plenare