Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 19.12.2008




Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetari Kuvendit, ka shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës dhe autorizimin e shpenzimeve për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2009.

Qëndrimin e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, i cili edhe e ka pasur për detyrë të përgatisë raportin me rekomandimet lidhur me amendamentet e propozuara për këtë projektligj, e ka paraqitur kryetari i këtij komisioni, Gani Koci. Ai i ka ftuar deputetët që ta votojnë buxhetin e Kosovës për vitin 2009.

Në vazhdim kryeparlamentari Krasniqi ka proceduar me votimin e amendamenteve të propozuara. Në fund, me shumicë votash të deputetëve, është miratuar edhe Projektligji për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës dhe autorizimin e shpenzimeve për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2009, bashkë me amendamentet e miratuara.

Pas kësaj e ka marrë fjalën kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili i ka falënderuar deputetët dhe të gjitha forcat politike për mbështetjen dhënë Qeverisë, si dhe për miratimin e Buxhetit për vitin e ardhshëm. “ Sot bashkërisht kemi shënuar një hap përpara për popullin dhe shtetin e Kosovës, së bashku po i ndërtojnë kapacitetet shtetformuese të Kosovës”, ka theksuar Thaçi, i cili buxhetin e miratuar e ka quajtur buxhet të zhvillimit të Kosovës . Ai edhe një herë ka premtuar luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kurse i ka garantuar deputetët se në Qeverinë e tij do të ketë llogaridhënie për çdo cent të shpenzuar.

Në vazhdim Thaçi ka kërkuar që Kuvendi, në një seancë të re, po në ditën e sotme, ta vë në rend dite shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili ishte hequr nga rendi i ditës së seancës së djeshme me propozim të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nga punimet e seancës plenare