Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin gjerman Hans Dieter Steinbach

, 22.12.2008




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Hans Dieter Steinbach. Temë qendrore e takimit ishte thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Në këtë frymë, bashkëbiseduesit folën më hollësisht lidhur më aktivitetet që do të zhvillohen, sidomos në lëmin e marrëdhënieve ndërparlamentare. Z. Steinbach theksoi se Gjermania gjithnjë do të jetë në mbështetje të Kosovës. Në këtë vështrim ai përmendi edhe faktin e pjesëmarrjes së policëve gjermanë dhe stafit tjetër në kuadër të EULEX-it në Kosovë. Ai vlerësoi lart punën e Kuvendit të Kosovës . Viti 2008, tha ai, ishte vit i suksesshëm , duke ditur se ai është vit i Kushtetutës dhe i Pavarësisë së Kosovës. Në kuadër të bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet parlamenteve të Gjermanisë dhe të Kosovës do të bëhen përgatitje që kryeparlamentari Krasniqi vitin e ardhshëm të vizitojë Bundestagun. Në këtë takim u hodh edhe ideja për formimin grupit të miqësisë ndërmjet deputetëve gjermanë dhe atyre kosovarë.

Kryeparlamentari Krasniqi, me këtë rast, shprehu keqardhje për incidentin që ndodhi lidhur me arrestimin e tre shtetasve gjermanë. Z. Steinbach, përkitazi me këtë, tha se ky rast nuk do të ketë reflektime negative në marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin gjerman Hans Dieter Steinbach