Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Partisë Demokracia e Re, Imer Selmani

, 22.12.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Partisë Demokracia e Re (në Maqedoni) Imer Selmani.

Në takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe Maqedoni, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë të të dy vendeve dhe të subjekteve të tyre politike.

Kryeparlamentari Krasniqi vitin 2008 e ka vlerësuar vit të suksesit të madh të Kosovës, i kurorëzuar me pavarësinë e vendit, miratimin e Kushtetutës dhe të mbi 90 ligjeve. Krasniqi i ka cilësuar të mira dhe korrekte marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit. Ai, ndërkaq, është angazhuar për raporte të mira ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoni.

Kryetari i Partisë Demokracia e Re, Imer Selmani, e ka uruar kryeparlamentarin Krasniqi për të arriturat e Kosovës dhe sidomos për krijimin e Forcës së Sigurisë në Kosovë. Ai ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi sa më i mirë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, e në këtë prizmë edhe bashkëpunimi ndërmjet ty dy parlamenteve. Duk e përvijuar qëndrimin e partisë, të cilën e udhëheq, Selani ka spikatur se Partia Demokracia e Re angazhohet për bashkëpunim dhe dialog politik.

Duke u pajtuar me mysafirin nga Maqedonia për nevojën e qytetarëve të dy vendeve për bashkëpunim të thellë dhe të sinqertë, kryeparlamentari Krasniqi ka pohuar faktin se pritet që së shpejti në Kuvendin e Kosovës të krijohet Grupi i miqësisë Kosovë-Maqedoni.
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Partisë Demokracia e Re, Imer Selmani