Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të familjarëve të të pagjeturve

, 31.12.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte një takim me përfaqësuesit e familjarëve të të pagjeturve të Kosovës, të udhëhequr nga Nysrete Kumnove, kryetare e shoqatës “ Thirrjet e nënave” të Gjakovës. Në prononcimin para medieve pas këtij takimi, kryeparlamentari Krasniqi shprehu keqardhjen dhe dhembjen e thellë që as pas dhjetë vjetësh ende nuk është zgjidhur fati i afro 2 mijë personave të pagjetur. Ai e quajti mjaft të arsyeshëm vendimin e përfaqësuesve të familjarëve të të pagjeturve që për hir të Pavarësisë së Kosovës sivjet t’ i bashkohen festës së Vitit të Ri. Dhembja për të pagjeturit , nuk është vetëm e familjarëve të tyre, por edhe e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo humbje është çmim që paguhet për liri.

Duke folur për kërkesat e familjarëve të të pagjeturve, z. Nysrete Kumnova theksoi se po bëhen 10 vjet që ende nuk dihet fati i 1918 qytetarëve të Kosovës. Në këtë ndërrim të moteve kemi ardhur të shtrojmë këto kërkesa : të ndërmerren masa konkretë nga ana e Parlamentit të Kosovës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve , të bëhet presion energjik ndaj Serbisë, si nga ana e institucioneve vendëse , ashtu edhe të atyre ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e të pagjeturve, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e cila do t’ i kushtohet masave që do të ndërmerren për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të vizitohet Morgu i Prishtinës , ku janë 400 trupa të paidentifikuar, Kosova si shtet, në mënyrë institucionale të mbledhë dëshmi nga familjarët e të pagjeturve, si dhe të aprovohet një ligj i veçantë me anë të të cilit familjarët e të zhdukurve të gëzojnë diçka për këto humbje të mëdha.

Kryeparlamentari Krasniqi theksoi se do të mbajmë seancën e Kuvendit të Kosovës, lidhur me këtë çështje,nga e cila do të dalin disa rekomandime për institucionet drejt masave që do të ndërmerren për ndriçimin e fatit të të pagjeturve. Projektligji është në hartim e sipër , kurse Kuvendi do të ndërmarrë të gjitha masat që ai në procedurë sa më të shpejtë të miratohet në Kuvend. Do të angazhohemi edhe në përshpejtimin e punëve për identifikimin e kufomave në Morgun e Prishtinës. Ndërkaq, sa i përket asaj se çfarë mund të ndërmerret në shtimin e presionit ndaj Serbisë, ai tha se do të angazhohemi që në bashkëveprim me ndërkombëtarët të shtohet presioni ndaj Serbisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje të dhembshme. Pas konferencës për shtyp kryetari i Kuvendit të Kosovës bashkë me delegacionin e të pagjeturve vuri kurorë pranë fotografive të të pagjeturve para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi priti  një delegacion të familjarëve të të pagjeturve