Lajmet e fundit

Nga vizita kuvendarëve të Kosovës në Turqi

, 06.01.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili po qëndron në Turqi në krye të një delegacioni parlamentar të Kosovës, në përbërje: Xhavit Haliti, Eqrem Kryeziu, Ibahim Gashi, Nexhat Daci dhe Xhezair Murat (anëtarë të Kryesisë), si dhe ministri i Ambienit dhe i Planifikimit Hapësinor, Mahir Yağcılar, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi dhe shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit Krasniqi, Mehmet Hajrizi është takuar sot me kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Köksal Toptan, me presidentin Abdullah Gül dhe me kryeministrin Recep Tayyip Erdoğan.

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilin e kryeson Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, vizitën në Ankara e ka filluar me vendosjen e kurore lulesh në përmendoren e Ataturkut, duke vazhduar pastaj me nënshkrimin në librin e nderit të personaliteteve të vendeve të huaja, si dhe me vizitën në Muzeloumin e Ataturkut.

Kryeparlamentari Krasniqi, para takimit të dy delegacioneve të të dy parlamenteve, në një takim të veçantë është takuar kokë më kokë me Kryetarin e Kuvendit të madh të Republikës se Turqisë, Köksal Toptan.

Më pastaj Delegacioni i Kosovës është pritur nga kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë dhe delegacioni i tij.

Takim me Kryetarin e Parlamentit turk, zotin Köksal Toptan

Kryeparlamentari Krasniqi, pas ka falënderuar për mikpritjen, Ka folur për të arritura të mëdha të Kuvendit dhe të Kosovës këtë vit, si shpallja e Pavarësisë, miratimi i simboleve shtetërore dhe i Kushtetutës, miratimi i ligjeve të shtetësisë së Kosovës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese të saj, njohja e Republikës së Kosovës nga 53 shtete, anëtare të OKB dhe promovimi i shtetit demokratik të Kosovës.

Legjislatura në vijim e Kuvendit, ka theksuar Krasniqi, ka arritur me sukses të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë, duke promovuar njëkohësisht demokracinë dhe kulturën parlamentare.

Janë miratuar 91 ligje, që kalon çdo plan legjislativ të deritanishëm në Kuvendin tonë. Nga këto ligje 52 janë nga pakoja e Ahtisaarit dhe kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës dhe me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, ka thënë në takim kreu u Kuvendit të Kosovës.

Ai ka pohuar se Kuvendi i ka marrë seriozisht Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe rekomandimet për Kuvendin, prandaj qysh gjatë këtyre muajve të fundit ne kemi ndërmarrë veprime të shumta për bashkëpunimin me Qeverinë dhe për kontrollin parlamentar mbi të, qoftë me interpelancat apo me monitorimin e zbatimit të legjislacionit. Kuvendi do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë edhe në hartimin e strategjisë legjislative për vitin e ardhshëm dhe në vijim. Është përmirësuar gjithashtu vlerësimi i projektligjeve për përputhshmërinë e tyre me të drejtat e njeriut dhe ndikimet buxhetore të projektligjeve. Me zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit, i cili u miratua para disa ditësh ne do të shtojmë ekspertizën për të pasur shqyrtim efektiv në Kuvend, por edhe kapacitetet për mbikëqyrje efektive të implementimit të ligjeve.

Administrata e Kuvendit, në saje të mbështetësve të shumtë ndërkombëtarë ka ngritur kapacitetet dhe aftësitë e punës, drejt një stafi të kualifikuar. Ndonëse janë të përfaqësuara, ne po bëjmë përpjekje të përmirësimit të përfshirjes së gjithë komuniteteve pakicë në administratën e Kuvendit. Kuvendi do të shtojë edhe bashkëpunimin me shoqërinë civile në procesin legjislativ. Kuvendi në punën e kaluar ka pasur mungesë të ndjeshme të kuadrit të kualifikuar në të drejtën evropiane, por jemi në rrugë të mirë për të siguruar mbështetjen e donatorëve në këtë plan dhe njëkohësisht për angazhimin e kapaciteteve vendore. Harmonizimi i projektligjeve me standardet e BE-, është një kusht i domosdoshëm i procedimeve të legjislacionit në Kuvend. Në mënyrë të veçantë do të sigurojmë mbështetje për Komisionin e Integrimeve Evropiane, ka thënë Krasniqi.

Ai ka pohuar se është ngritur transparenca e legjislativit, ndërkaq duke folur për punën e Kuvendit në vitin 2009, ka theksuar shtyrjen përpara të reformave, të cilat do të sigurojnë organizim dhe funksionim sa më efikas i Kuvendit të Kosovës.

Kemi përcaktuar objektiva që kanë të bëjnë me funksionin legjislativ, funksionin mbikëqyrës dhe përfaqësues të Kuvendit, mbikëqyrjen e buxhetit dhe kontrollin e financave publike, mbikëqyrjen parlamentare të Agjencisë për Inteligjencë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëpunimin me institucionet tjera, ngritjen e cilësisë së punës së grupeve dhe komisioneve parlamentare, Ka thënë Krasniqi, i cili ka shprehur interesin e Kuvendit të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin ndërparlamentar me Turqinë, pasur parasysh traditën e gjatë parlamentare dhe përvojën e pasur demokratike turke.

Ne kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi me parlamente evropiane, si me atë të Belgjikës, të Sllovenisë etj. dhe jemi shumë të kënaqur të nënshkruajmë një të tillë sot edhe me parlamentin turk. Palët siç thuhet në Memorandum do të shkëmbejnë informacione dhe pikëpamje në baza të rregullta, lidhur me marrëdhëniet në mes të dy vendeve, për çështje rajonale e ndërkombëtare, do të organizojnë vizita të ndërsjella bashkëpunimi e aftësimi profesional etj.

Tashmë në të dy parlamentet tona janë formuar grupe deputetësh të miqësisë midis dy institucioneve, të cilat do ta begatojnë frymën e bashkëpunimit dhe të miqësisë.

Kryeparlamentari turk, Köksal Toptan, duke shfaqur kënaqësinë që e pret homologun etij kosovar, ka theksuar se Kosova e pavarur ka rëndësi për Turqinë, për faktin e lidhjeve tona miqësore e vëllazërore.

Turqia është vendi i parë që dorëzoi letrat e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka spikatur Toptan, duke shtuar se komuniteti turk në Kosovë dhe qytetarët turq me origjinë shqiptare në Turqi duhet të luajnë rolin e urës lidhëse midis dy vendeve tona.

Turqia përveç mbështetjes që i ka bërë Kosovës në zhvillimin e saj do të ndikojë edhe në krijimin e raporteve të reja të Kosovës në rajon, ka pohuar ai, duke premtuar se vendi i tij do të ndihmojë integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Ai është shprehur i bindur se përparimi i të drejtave të komunitetit turk në Kosovë dhe bashkëjetesa e tij në harmoni me shqiptarët e tj., do të ndihmojë zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës.

Ne sot do të nënshkruajmë Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërparlamentar që do të bëjë marrëdhëniet tona edhe më të mira, ka thënë Toptan.

Ai ka theksuar se edhe në Parlamentin turk është krijuar Grupi i miqësisë që e udhëheq zoti MuhsinYazicioglu, një personalitet i shquar në Turqi.

Kryeparlamentari turk ka thënë:” Ne po bëjmë gjithë përpjekjet për njohjen e Kosovës nga shtetet tjera, duke shfrytëzuar kontaktet tona me të tjerët”.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka ftuar kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë në vizitë zyrtare në Kosovë.

Pastaj delegacioni i Kosoves eshtë takuar me Kryeministrin e Turqisë Tayyip Erdoğan

Kryeparlamentari Krasniqi, duke e falënderuar për mikpritje, përcjell kryeministrit Erdoğan përshëndetjet e Kryeministrit Thaçi.

Krasniqi në këtë takim ka folur për konsolidimin e tri pushteteve në Kosovë, duke u përqendruar në formimin e dy ministrive të reja pas pavarësimit, Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Forcës së Sigurisë.

Ai ka theksuar se diplomacia e re e Kosovës, po e ngrit infrastrukturën ligjore dhe rrjetit diplomatik, përmes hapjes së 10 ambasadave të para të Kosovës në botë. Disa nga ambasadat që pritet të hapen gjatë vitit 2009 janë ato në Malin e Zi, Maqedoni, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Çeki, Suedi, Holandë, Kolumbi e Japoni, ka pohuar Krasniqi.

Në Kosovë tashmë është instaluar qeverisja e mirë e efektive, sistemi i mirëqenies sociale dhe është përmirësuar dukshëm infrastruktura e arsimit e cilësia e mësimdhënies. Përparime kemi edhe në infrastrukturën rrugore dhe po punojmë për ta përmirësuar edhe shëndetësinë.

Për këtë vit ne kemi miratuar një buxhet për 15 për qind më të lartë se të vitit të kaluar. Ky buxhet do ta nxisë zhvillimin ekonomik dhe do ta forcojë mirëqenien sociale, ka theksuar kreu i legjislativit të Kosovës, i cili është shprehur optimist se në vitin 2009 Kosova do ta konsolidojë dukshëm ekonominë e saj të shkatërruar nga lufta dhe shfrytëzimi i gjatë kolonialist.

Ai është shprehur gjithashtu optimist se gjasat janë të mira që Kosova shpejt të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, duke pohuar se këtë vit planifikojmë një rritje ekonomike prej rreth 6% dhe se pavarësia e vendit ka krijuar kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, prandaj presim shumë investime të huaja dhe sidomos nga Turqia, ka thënë Krasnqi.

Ai është shprehur shumë i gëzuar që së shpejti, ministri i jashtëm turk, zoti Ali Babacan do ta vizitojë Kosovën dhe do t’i drejtohet me një fjalë Kuvendit tonë.

Kryministri Erdogan ka theksuar se Turqia ka shumë miq dhe vëllezër në Kosovë dhe ka premtuar se kur të vijë në Kosovë (në pranverë) do të marr me vete shumë biznesmenë për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë.

Tregu midis dy vendeve tona vitin e kaluar arrinte shifrën e 23 milion dollarësh, kurse këtë vit do të kalojë vlerën e 50 milionë dollarë, ka pohuar Erdogan, duke u shprehur i bindur se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona do të thellohen gjithnjë e më shumë. Ai ka përmendur si shembull të mirë Agjencionin turk për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Kosovë, i cili ka ndihmuar me shumë projekte ndërtimi dhe do të vazhdojë të ndihmojë edhe në të ardhmen.

Ai ka theksuar gjithashtu aktivitetet e vendit të tij për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Delegacioni i Kosoves gjat ditës është pritur ne një takim mjaft miqësor edhe nga Presidenti i Republikës se Turqisë Abdullah Gül

“Shpreh respektin e popullit Kosovës dhe të Parlamentit për që përfaqësoj për vendin tuaj dhe për Ju personalisht”, i është drejtuar kryeparlamentari Krasniqi Presidenti i Republikës se Turqisë, Abdullah Gül, të cilit i ka përcjell edhe përshëndetjet e President Sejdiu.

Çështja e Kosovës lindi nga padrejtësia historike e vitit 1913, kur gjysma e kombit shqiptar dhe e territorit të tij, me dhunë iu aneksua Serbisë e më vonë Jugosllavisë, me të cilat nuk e lidhte asgjë përveç zinxhirëve të robërisë, ka theksuar Krasnqi. Duke shtuar se nëntëdhjetë vjet të sundimit serb, Kosova ishte nën terror, shfarosje sistematike të popullsisë, shfrytëzim kolonial dhe shtypje të lëvizjeve të pareshtura çlirimtare.

Me përpjekje dhe sakrifica Kosova më 1974 arriti të bëhej njësi konstituive (me kufijtë dhe kushtetutën e saj) e Federatës Jugosllave, sikur republikat tjera.

Më 1989 regjimi i Milosheviqit e suprimoi me tanke autonominë e Kosovës, duke ushtruar për dhjetë vjet gjenocid mbi shqiptarët dhe spastrim etnik të Kosovës.

Dhjetë vjet rresht populli i ndaluar shqiptar shpalli institucionet e veta dhe bëri rezistencë politike paqësore kundër sundimit të egër serb.

Më 1999, popullit të vogël dymiliomnësh shqiptar të Kosovës iu imponua nga soldateska e Milosheviqit lufta e pabarabartë për ekzistencën fizike dhe për pavarësi, që i kushtoi me mbi 15.000 jetë, me rreth 120.000 shtëpi të djegura, duke përfshirë edhe shumë xhami, me dëbimin nga trojet e veta të më shumë se gjysmës së popullsisë dhe me dëme të pallogaritshme ekonomike e materiale. Forcat e rregullta ushtarake e policore serbe si dhe ato paramilitare, vranë e masakruan civilë, fëmijë e pleq dhe dhunuan e dhjetëra mijë gra shqiptare.

Bota humane dhe demokratike nuk mund të shikonte anash tmerrin që po ndodhte në Kosovë, prandaj ndërhyri me forcën e NATO-s dhe vendosi paqen, duke instaluar një protektorat gati dhjetëvjeçar, nëpërmjet të administratës së OKB, të quajtur UNMIK.

Tri vitet e fundit, me ndërmjetësim të Emisarit të OKB, zotit Martti Ahtisaari janë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta midis Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje definitive të statusit politik të Kosovës. Si rezultat i këtyre bisedimeve, zoti Ahtisaari me ekipin e tij, ka hartuar një Propozim Gjithëpërfshirës për statusin e Pavarësisë së Mbikëqyrur të Kosovës, duke siguruar të drejta të standardeve të larta për serbët dhe për komunitetet tjera pakicë në Kosovë, që përbëjnë rreth dhjetë për qind të popullsisë. Propozimin e Presidentit Ahtisaari pala kosovare e ka pranuar me dhembjen e kompromisit historik. Atë e ka mirëpritur gjerësisht bashkësia ndërkombëtare dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, por jo Serbia, e cila e mbështetur me veton ruse arriti ta bllokojë aprovimin e rezolutës për Kosovën në KS të OKB. Megjithatë, gjithë procesi negociator ishte në harmoni me Grupin e Kontaktit (ku bënte pjesë edhe Rusia), i cili kishte përcaktuar apriori parime të panegociueshme si, mosndarja e Kosovës, moskthimi i saj në gjendjen e mëparshme, mos bashkimin me ndonjë shtet tjetër dhe kishte mbajtur qëndrim për respektimin e vullnetit të popullit të saj.

Status quo në Kosovë nuk mund të vazhdonte, sepse çdo çast mund të shpërthente konflikti dhe pakënaqësitë sociale. Në këtë gjendje, Kosova dhe Parlamenti i saj i zgjedhur, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara e me dokumente të tjerë përkatës ndërkombëtarë dhe në harmoni me Propozimin e zotit Ahtisaari, më 17 shkurt 2008 shpalli Pavarësinë e Kosovës, e cila shumë shpejt u njoh nga 53 vende, duke përfshirë dy të tretat e BE dhe të NATO-s dhe vendet më të zhvilluara në botë. Republika e Turqisë, si vend mik i Kosovës e njohu pavarësinë e saj vetëm 24 orë pas shpalljes.

Nga një vatër potenciale e krizave të rrezikshme, Kosova e pavarur u kthye në një faktor paqeje e stabiliteti politik rajonal dhe në një shtet demokratik me kushtetutë të standardeve moderne, me të cilën mbrohen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të komuniteteve pakicë.

Gjatë vitit të shkuar patëm zhvillim të konsiderueshëm, kurse në vitin në vijim me gjithë krizën globale, planifikojmë rreth 6% rritje ekonomike.

Në Kosovë po zhvillohen procese të rimëkëmbjes ekonomike dhe të pajtimit e mirëkuptimit ndëretnik, sepse pavarësia ishte parakusht i këtij zhvillimi dhe i respektimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Në Kosovë bashkëvuajtës me shqiptarët nga regjimet shtypëse serbe kanë qenë tradicionalisht edhe pjesëtarët e komunitetit turk, të cilët tashti në shtetin e pavarur gëzojnë të gjitha të drejtat qytetare, demokratike, kulturore e kombëtare.

Zgjidhja e çështjes së Kosovës përbën sui generis ndërkombëtar, për shkak të historisë së saj, për subjektivitetin shtetëror tradicional të Kosovës, për shkak të shpërbërjes së Federatës jugosllave, ku bënte pjesë dhe për shkak të gjenocidit që ka ushtruar regjimi i Milosheviqit në këtë hapësirë.

Kosova ka popullsinë, territorin e kufijtë ndërkombëtarë dhe institucionet shtetërore të zgjedhura, si dhe mjetet demokratike për të mbajtur rendin.

Republika e Kosovës dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Republikën e Turqisë në të gjitha fushat, si partner strategjikë, në dobi të interesave reciproke, të miqësisë midis dy popujve tanë dhe të bashkëpunimit e të paqes në rajon. Ne jemi në rrugën e përbashkët të procesit të integrimit evropian.

Republika e Turqisë është vend i madh dhe me kredibilitet të lartë ndërkombëtar, prandaj presim që do të ndikojë të miqtë e saj të shumtë, sidomos në botën islamike, për njohjen sa më të shpejtë dhe më të gjerë të Republikës së Kosovës, për t’ i bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera politike e financiare ndërkombëtare.

Do të dëshiroja zoti President të shuhemi shpejt në Prishtinë, ku do të njiheni për së afërmi me realitetin e ri të Kosovës, por edhe do t’i kontribuoni thellimit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona, ka theksuar kryeparlamentari Krasniqi.

Presidenti turk, Abdullah Gül, e ka përgëzuar zotin krasniqi për pavarësinë e Kosovës dhe ka uruar për paqe, siguri dhe integrime euroatlantike. Duke rikujtuar faktin që Turqia ndër vendet e para e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ai ka theksuar se kur vij në Kosovë ndjehet si në shtëpi të vet.

Ai është shprehur i sigurt se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet tona do të thellohen dhe se komuniteti turk në Kosovë dhe qytetarët turq me origjinë shqiptare në Turqi duhet të luajnë rolin e urës lidhëse midis dy vendeve tona.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë për njohjen sa më të gjerë të Republikës së Kosovës, ka thënë Gül, duke premtuar se do të vendi i tij do të vazhdojë të organizojë kontakte miqësore midis Kosovës dhe vendeve nga të cilat kërkohet njohja. Fokusim yni do të jenë sidomos vendet islamike, ka premtuar presidenti turk.

Ju sigurisht do punoni akoma më shumë për prezantimin e realitetit të ri në Kosovë, nëpërmjet të vizitave e kontakteve dhe do të krijoni imazhin e vendit tuaj që prodhon stabilitet, ka theksuar Gül, duke vlerësuar se për Kosovën ka shumë rëndësi të vendosni marrëdhënie të mira fqinjësore.

Ne besojmë që Kosova do t’i arrijë standardet e nevojshme demokratike në rrugë drejt integrimeve euroatlantike.

Përveç takimeve me krerët me te larte te institucioneve te Republikës se Turqisë delegacioni i Kosovës është takuar edhe me përfaqësues te shoqatave te shqiptareve ne Ankara si dhe me komunitetin shqiptar qe jetojnë dhe veprojnë ne Ankara dhe me gjerë në Turqi.

Nga vizita kuvendarëve të Kosovës në Turqi