Lajmet e fundit
Vizita e delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Turqi
, 07.01.2009
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryparlamentari Jakup Krasniqi , i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi, sot kishte disa takime në Stambol. Me të arritur në Stamboll delegacioni është pritur në një drekë pune nga z. Zeki Çaliskan, kryesues i Këshillit të Biznesit Turqi – Kosovë në Bordin për Marrëdhënie Ekonomike me vende të Huaja në Turqi, si dhe një numër i madh biznesmenësh turq dhe atyre me origjinë shqiptare.
Me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Kosova pas 17 shkurtit 2008 lirisht mund të thuhet se është një vend i sigurt për zhvillimin e bizneseve. Ka shumë fusha në Kosovë ku mund të zhvillohen biznese, të cilat janë shumë joshëse edhe për investitorët e huaj, sidomos në fushat e energjisë, infrastrukturës rrugore, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, blegtorisë etj. Në vijim ai theksoi se Kosova ka mjaft pasuri natyrore ku mund të investohet. Në këtë frymë ai ftoi biznesmenët të vijnë në Kosovë për të investuar, duke i garantuar se këtu do të kenë një treg të sigurt.
Z. Zeki Çaliskan me këtë rast theksoi se pavarësia e Kosovës ka qenë një lajm shumë i mirë dhe i pritur nga Turqia, sidomos nga biznesmenët. Në këtë takim u tha se vizita e ministrit të jashtëm te Turqise në Kosovë prej 13 – 15 janar do të jetë një mundësi e mirë për afaristët nga Turqia për t’ u njohur edhe më shumë me realitetin e ri të biznesit në Kosovë. Kosova po trajtohet si një vend shumë i sigurt për biznes. Shumë biznesmenë turq kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën. Synim i biznesmenëve është që edhe në të ardhmen të investojnë në Kosovë.
Mahir Yağcılar,ministër për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, pasi i përshëndeti të pranishmit në emër të kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës, u falënderua për pritjen e ngrohtë në Ankara. Ai gjithashtu i garantoi afaristët për investimet që do të bëjnë në Kosovë.
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se Qeveria e Kosoves i ka shpallur lufte korrupsionit, kësaj sëmundjeje rajonale. Biznesmenët i kanë dyert e hapura për investime nga Qeveria, Kuvendi i Kosovës, por edhe opozita, e cila përfaqësohet edhe në këtë delegacion. Jo vetëm që do të keni dyert e hapura, por ne do të jemi në dispozicion që t ‘u ofrojmë çfarëdo ndihme për të cilën do të keni i nevojë. Politika taksave e Kosoves me ligjin e ri do të jetë gjithashtu një ndihmesë madhe për ju si investitorë të mundshëm, theksoi z. Haliti.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në orët e mbrëmjes u takua edhe me zëvendësguvernatorin e Stambollit.