Lajmet e fundit
Delegacioni parlamentar i Kosovës u kthye nga vizita në Turqi
, 09.01.2009
Sot u kthye nga vizita treditore në Turqi delegacioni parlamentar i Republikës së Kosovës, i prirë nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, gjatë së cilës ka realizuar takime me udhëheqësit e institucioneve më të larta të shtetit turk: kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Köksal Toptan, me presidentin Abdullah Gül dhe me kryeministrin Recep Tayyip Erdoğan, si dhe me përfaqësues të lartët të prefekturave të Ankarasë dhe Stambollit e me bashkatdhetarë tanë, shtetas të Turqisë.
“Vizita jonë konfirmoi marrëdhëniet e ngushta dhe shumë miqësore ndërmjet të dy vendeve dhe dy popujve tanë, të cilët kanë vullnetin dhe interesin e përbashkët të thellimit të tyre në dobi reciproke, por edhe të bashkëpunimit rajonal e të integrimeve euroatlantike”, u ka deklaruar gazetarëve kryeparlamentari Krasniqi në Aeroportin e Prishtinës, në të kthyer nga Stambolli. Në këto momente historike, nëpër të cilat po kalon Kosova dhe shtetndërtimi i saj, Turqia na është ndodhur pranë, duke mbështetur proceset tona aktuale, të brendshme dhe të jashtme dhe ajo do të vazhdojë ndihmën në shumë drejtime, si në rindërtim, ekonomi, diplomaci e integrim euroatlantik, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka folur edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë së Madhe të Turqisë, nga e cila legjislativi i vendit tonë do të përfitojë shumë nga përvoja e gjatë dhe e pasur parlamentare e Turqisë, sidomos për sa i përket ngritjes së kapaciteteve administrative.
Krasniqi u ka pohuar gazetarëve se ka marrë zotimin e drejtuesve të lartë turq se do të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre tek vendet e ndryshme të botës, sidomos tek vendet islamike, që ta njohin shtetin e Kosovës. Ai ka theksuar edhe interesimin e shtetit turk dhe të biznesmenëve për të investuar në Kosovë, që dëshmohet edhe me vizitën e ardhshme të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ali Babaxhan, në Kosovë, gjatë së cilës atë do ta shoqërojnë një numër i madh i afaristëve turq.
Në të gjitha takimet që i kemi realizuar gjatë vizitës sonë në Turqi kemi hasur në një mikpritje tepër të ngrohtë dhe gjithkund jemi cilësuar miq dhe vëllezër, ka theksuar kreu i Kuvendit të Kosovës.